Autorë të disa vjedhjeve, një i arrestuar dhe dy nën hetim në Vlorë

Policia ka arrestuar një 52-vjeçar në Vlorë i identifikuar si Tahir Çela dhe nisi procedimi penal për djalin e tij 14-vjeçar, për shtetasin H. D., për vjedhje.

Sipas policisë, Çela dhe djali i tij i mitur, përgjatë periudhës tetor 2022 deri në 11 mars 2023, në fshatin Nartë kanë kryer 14 vjedhje banesash, gjatë të cilave kanë vjedhur orendi shtëpiake, vegla pune, panele diellore, ventilatorë e sende të tjera. Babë e bir, sendet e vjedhura i grumbullonin në shtëpinë e shtetasit H. D, për ti shitur me qëllim përfitimin e vlerave monetare.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet pas një hetimi disa javor operacioni policor i koduar “Storm 3”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Vlorë.

Në kuadër të operacionit është vënë në pranga një shtetas dhe janë proceduar penalisht dy të tjerë, të cilët vepronin në formën e grupit për realizimin e vjedhjeve.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore disajavore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Storm 3”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi:

– T.Ç., 52 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe “Shtytja e të miturit në krim”.

Në vijim të veprimeve nisi procedimi penal për djalin 14-vjeçar të shtetasit Tahir Çela, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu nisi procedimi penal për shtetasin H. D., banues në Vlorë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose i mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale“.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi T. Ç. dhe djali i tij i mitur, përgjatë periudhës tetor 2022 deri në 11 mars 2023, në fshatin Nartë kanë kryer 14 vjedhje banesash, gjatë të cilave kanë vjedhur orendi shtëpiake, vegla pune, panele diellore, ventilatorë e sende të tjera.

Këta shtetas sendet e vjedhura i grumbullonin në shtëpinë e shtetasit H. D, për ti shitur me qëllim përfitimin e vlerave monetare.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Shtuar 12.03.2023 12:33