Aulon Kalaja kërkon rinumërimin e votave/ Depoziton kërkesë në KQZ për qarkun Durrës

Kandidati në listën e mbyllur të Aleancës për Shqipërinë Madhështore, Aulon Kalaja ka depozituar në KQZ kërkesë për rinumërimin e votave në qarkun Durrës.

Ai thekson se nga këqyrja e pamjeve ka konstatuar trafikim vote.

“E paraqesim këtë kërkesë sot, me qellim që të zihet afati i ankimit, megjithatë, kërkojmë nga ju, të na vendosni në dispozicion kohën e nevojshme për të analizuar pamjet filmike. Nëse nga ana juaj do të pranohej në mënyrë të menjëhershme hapja dhe rinumerimi i kutive, atëherë, do të ishte e panevojshme që të na ngarkohet barra për të këqyrur çdo pamje filmike. Por duke qene se kjo është pjesë e disponimit tuaj përfundimtar, patjetër që kërkojmë nga ju, të na vendosni në dispozicion një kohe të arsyeshme për tu përgatitur para se të nisi shqyrtimin e ankesën.

Gjykojmë se pretendimet tona janë evidentuar dhe premisa e shkeljeve është vendorur, pasi është vendosur motivi I keqpasqyrimit e të dhenave. Gjithashtu, rezervojmë të drejtën që deri në ditën e shqyrtimit të kërkesës, të shtojmë kërkimet dhe argumentat tona, gjithashtu deri në ate moment të paraqesim pretendime shtesë edhe sa I përket legjitimitetit, kjo nisur nga ngarkesa dhe mospasja e kohes fizike për të përmbyllur cdo argument.

Në datën 26.05.2025, kemi marrë dijeni për Vendimin nr. 1327, datë 24.05.2025 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse për Rezultatin në zonën zgjedhore Qarku Durrës, për subjektet zgjedhore dhe për kandidatët për deputetë, në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 maj 2025”. Duke mos qenë dakord me këtë vendim, për shkak se vlerësojmë se gjatë procesit të numerimit të rezultatit zgjedhor prejt të cilit ka dalë ky vendim kanë ndodhur shkelje të ligjit, të cilat kanë cënuar rëndë procesin zgjedhor, si dhe tërësia e shkeljeve të ligjit, të ndodhura në këtë zonë zgjedhore ka cënuar procesin zgjedhor në një masë të tillë, që ka ndikuar në ndarjen e mandateve, sic do të provohet gjatë hetimit administrativ, po parashtrojmë këtë ankim me faktet, dispozitat ligjore dhe arsyetimin ligjor”, theksohet në kërkesë.

Kujtojmë se Kalaja ishte i pari nga radhët e opozitës që deklaroi se kishte dyshime që vota e tij ishte deformuar brenda kandidatëve të Aleancës për Shqipërinë Madhështore.

Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kalaja u rendit i dyti në listën e hapur të opozitës në Durrës, me 7291 vota, ndërkohë që mandatin e vetëm të kësaj liste e mori Arian Ndoja me 8249 vota.


Shtuar 30.05.2025 11:02