Pak ditë më parë një ngjarje e rëndë tronditi vendin, ku pas një atentati në Rinas mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe sot humbi jetën edhe shoqëruesi i tij Muçi Shaljani.
Në takimin me qytetarët e Njësisë 3 në Tiranë, kryeministri Edi Rama u shpreh se ajo ngjarje do të zbardhej në kohë reale nëse do të ishte bërë instalimi i kamerave me Inteligjencë Artificiale më rrugët dhe lagjet kombëtare, një sistem që pritet të instalohet nga momenti në moment.
“Projekti i monitorimit me kamera inteligjente të rrugëve kombëtare është një projekt për sigurinë, për pastërtinë, për qetësinë e prindërve lidhur me fëmijët në shkolla. E kemi bërë të gjithë pjesën që duhet të bënim, flas nga pikëpamja e pjesës së qeverisë, me marrjen e mbështetjes nga Emiratet e Bashkuara, ku ky projekt është në zbatim dhe ka një sukses të jashtëzakonshëm. Nuk i hedh më plehrat në rrugë, e ke të pamundur, sepse të kap kamera në kohë reale. Janë kamera inteligjente pikërisht për këtë, sepse nuk je ti që kontrollon lagjet. Kur bën një shkelje, në sistemin qendror vjen sinjali dhe del atje personi konkret i identifikuar. 8 muaj na ka marrë burokracia në agjencitë tona për të përfunduar procesin e dokumentacionit për të nisur procesin e instalimit.
Nëse do të kishim atë sistem, ajo ngjarja e Rinasit do të zbardhej në kohë reale. Por nuk është puna te zbardhja”, tha Rama ndër të tjera.



