Ish-banori i Big Brother VIP Kosova 3, Atilla Kardesh, ka rikthyer vëmendjen e publikut duke nxitur reagime të shumta në rrjete sociale.
Në një video të publikuar në TikTok, Atilla shihet brenda ambienteve të Klan Kosovës, konkretisht në korridoret që çojnë drejt shtëpisë së famshme të Big Brother-it. Me një buzëqeshje ironike, ai u drejtohet ndjekësve duke pyetur: “Çka po thuni ju, a me hi a mos me hi?” një deklaratë që menjëherë ndezi spekulime.
Kjo lëvizje vjen në një moment të ndjeshëm për figurën e tij publike. Përveç historisë së njohur nga edicioni i kaluar, emri i Atillës është përmendur sërish në media gjatë muajve të fundit, ku është raportuar se ndaj tij ka pasur fletarrestim aktiv.
Rikthimi i mundshëm i tij risjell në kujtesë edhe një nga skandalet më të mëdha të sezonit të kaluar të Big Brother VIP Kosova. Atilla kishte hyrë në shtëpi ndërkohë që brenda ndodhej ish-bashkëshortja e tij, Drenusha Latifi, e cila më herët e kishte denoncuar për dhunë. Ky veprim shkaktoi reagime të ashpra publike dhe çoi në largimin e tij nga formati pas vetëm 48 orësh.
Pasojat nuk u ndalën vetëm aty. Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) gjobiti Klan Kosovën me 30,000 euro, një shumë rekord, për promovimin e individëve me precedentë dhune dhe për rrezikimin e interesit publik.
