Atentati në Elbasan/ Viktima Edmond Mëhalla 3 vite në hetim për pastrimin parash, prokuroria më pas kërkoi pushimin e dosjes

Mbrëmjen e djeshme (30 Nëntor 2025), një ngjarje e rëndë tronditi vendin,  ku u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover, biznesmeni Mondi Mehalla alias Edmond Hyka.

Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit.

Sipas informacioneve policore, viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.

Edmond Hyka alias Mond Mëhalla, rezulton të jetë hetuar nga prokuroria dhe policia e Elbasanit për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, pasi ai ishte proceduar më parë dhe arrestuar nga drejtësia e një vendi të huaj si i dyshuar në trafikun e drogës.

Gazetari Elton Qyno, ka mësuar nga burime të sigurta se dosja penale për pastrim parash ndaj Mond Mëhallës, është hapur në vitin 2020 dhe mbante numrin rendor 1878.

Rasti në fjalë është ndjekur nga prokuroria e çështjes Edlira Bako, e cila pas gati 3 vite hetime, nuk mund t’i provojë me fakte konkrete akuzën e Pastrimit të parave, duke çuar dosjen në gjykatën e Elbasanit për pushim.

Çështja më pas është ndjekur në fazën e gjykimit nga gjyqtari Elis Dine, i cili për momentin nuk dihet me saktësi se çfarë ka vendosur lidhur me hetimin financiar ndaj Edmond Mëhallës.

Edmond Mëhalla, ishte pronari i clabit “Hollyvood Lounge Bar”. Ai zotëronte dhe një pikë karburanti “Xhaxhi Oil”, në oborrin e të cilit mbeti i vrarë si dhe një kompani taksish e transporti të quajtur “EL-Taxi”./ Syritv