Zef Guri u vra, ndërsa djali i tij Gjin Guri u plagos gjatë një atentati të ndodhur mbrëmjen e sotme në Dukagjin.
Drejt vendit të ngjarjes janë nisur drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, shërbime të Repartit Special RENEA dhe FNSh-së, ekspertë kriminalistë dhe specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda nga Departamenti për Policinë Kriminale në DPPSh, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme, rreth orës 18:45, në malin Shosh, Dukagjinit. Zef Guri dhe Gjin Guri u qëlluan me breshëri automatiku ku si pasojë humbi jetën Zef Guri, ndërsa u plagos rëndë djali i tj. Deri më tani ajo çfarë dihet është se autori menjëherë pas atentatit është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkohë shkak dyshohet se janë bërë konfliktet për kultivimin e kanabisit.
Gjin Guri, është një personazh i njohur në Shkodër, për banorët dhe Policinë. Në vitin 2015 ai është arrestuar pas një operacioni të FNSH-së, sepse qëlloi me armë mbi Policinë teksa kjo e fundit shkoi të shkatërronte disa parcela me drogë në fshatin Shosh. Ai ishte pjesë e grupit të zjarrit që u fshehën në mal dhe hapën zjarr mbi Policinë në Shosh, Dukagjin.
Ndërkohë, më 15 nëntor të 2021 46-vjeçarit iu vendos tritol në lokalin e tij në Shosh ku fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.