Gjykata e Posaçme, ka pranuar kërkesën e prokurorit Adnan Xholi dhe vendosi kalimin për gjykim të Amar Shkëmbit dhe Bledar Polivinës, të dyshuar për përfshirje në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, në mbikalimin e Shkozetit.
Vendimi u dha nga gjyqtari Bib Ndreca, ndërsa në ditët në vijim do të hidhet shorti për të përcaktuar treshet e gjyqtarëve që do të shqyrtojnë dosjen në themel.
Amar Shkëmbi, ishte shpallur në kërkim nga SPAK dhe u ekstradua nga Dubai në Tiranë në tetor të vitit të kaluar.
Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria, Shkëmbi dhe Polivina, së bashku me Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj dhe Ariol Halilaj, dyshohet se kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke kryer vepra penale si vjedhje, mbajtje pa lejë të armëve, tentativë vrasjeje ndaj funksionarëve publikë dhe vrasje në rrethana të tjera cilësuese.
Ngjarja ndodhi më 1 nëntor 2019, ku mbeti i vrarë Andi Maloku, dhe u plagosën Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut”.
Në të njëjtën çështje penalë janë edhe Endrit Sinani, Genti Nderjaku, Bashkim Haxhia dhe Julian Pjetri.
