Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja/ Provat që “fundosën” Redjan Rrajën, Dervishaj do të paguante 300 mijë euro për t’i fshirë shenjat e ADN-së

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, te mbikalimi i Shkozetit më 1 nëntor të vitit 2019.

Plarent Dervishaj i cili akuzohet si organizatori i atentatit ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja në Durrës, do të paguante 300 mijë euro për të fshirë shenjat e AND-së së Redjan Rrajjës nga makina e autorëve.

Ky fakt u bë i ditur nga vetë SPAK gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare para gjykatës. Sipas SPAK, kjo gjë do të bëhej për ti lehtësuar Rrajës pozitën në gjykatë.

Redjan Rraja akuzohet si një nga ekzekutorët e atentatit ndaj peokurorit Arjan Ndoja. Gjatë tentativës së atentatit kujtojmë se mbeti i vrarë shoferi i prokurorit, Andi Maloku.

Ditën e djeshme SPAK kërkoi burg përjetë për Redjan Rrajën. Stomatologu Rraja, 38 vjeç akuzohet si njëri nga dy ekzekutorët që qëlluan me breshëri në drejtim të automjetit në të cilin po udhëtonte prokurori Ndoja dhe Pëllumb Muharremi, të cilët konsiderohen nga hetimet e deritanishme si shënjestra të atentatit.

Të dy mbetën të plagosur, ndërkohë që u vra ish-polici Andi Maloku, që ishte shofer i prokurorit. Si provë kundër Rrajës, SPAK-u deklaroi ADN-në e përftuar nga një gjurmë papilare, të lënë në syzet e harruara pikërisht në mjetin e braktisur nga vrasësit.

Rraja u tradhtua jo vetëm nga kjo provë e pakundërshtueshme, por sipas prokurorëve të SPAK, edhe nga komunikimet në aplikacionin SKY, ku të dyshuarit menjëherë pas arrestimit të Rrajës flasin të shqetësuar se duhet t’i siguronin një avokat Rrajës në mënyrë që ai të mos fliste./albeu.com/


Shtuar 1.06.2023 12:19