Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka dhënë vendimin për 5 anëtarët që siguruan kushtet për vrasjen e ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja. Fatmirësisht, ky i fundit i mbijetoi plumbave bashkë me Aleksandër Lahon, por vdiq shoferi Andi Maloku.
Burime për media bëjnë me dije se 5 anëtarët e grupit kriminal janë dënuar në total me 25 vite burg.
Ramazan Rraja, nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, është dënuar me 6 vite heqje lirie. Genti Ndërjaku është dënuar me 5.4 vite, Bashkim Haxhia me 4.8 vite, Endrit Sinani me 4.8 vite dhe Julian Pjetri me 4.4 vite.
Kujtojmë që SPAK pak javë më parë kishte kërkuar 43 vite burg për personat e përfshirë në atetatin ndaj ish-prokurorit.
Kujtojmë që më 1 nëntor 2019, automjeti ku po udhëtonin Arjan Ndoja, shoferi i tij Andi Maloku dhe Aleksandër Laho (alias Landi Muharremi) u qëllua me breshëri kallashnikovi te mbikalimi i Shkozetit. Ndoja dhe Laho arritën t’i shpëtonin vdekjes, ndërsa shoferi Maloku ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda në datën 7 nëntor.
Policia gjeti të braktisur në Shkafanë një automjet të braktisur, i cili u përkiste atentatorëve. Prokurori ka thënë se ka dy prova shumë të rëndësishme që lidhen me ADN e Redjan Rrajës, ndërsa i akuzuari tjetër Arjol Halilaj dyshohet se është personi që ka fshehur mjetin dhe atentatorët.
Ndërkohë para trupës gjykuese më herët Raja ka mohuar akuzat se ka lidhje me ngjarjen.
“Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen. Më janë marrë gjurmët e gishtave, nuk e di si janë përdorur. Në një rast më janë marrë pa praninë e avokatit. Më kanë marrë shumë rroba në makinë pas arrestimit”, ka thënë ai më herët.