Ish-kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika teksa ka komentuar vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u ekzekutua në sallën e gjyqit teksa jepte një vendim gjyqësor, theksoi se faji së pari i ngarkohet shtetit.
Ajazi, i ftuar në ‘Kjo jave’ në News24, duke u ndalur te siguria në gjykata, pohoi se ngelet shqetësuese fakti se si u anashkalua siguria. Mes të tjerash ish-kreu i SHISH pohoi se ngjarje të tilla tronditëse ndodhin edhe në shtete më të zhvilluara, si Amerika.
Si e komentoni ngjarjen në gjykatën e Apelit?
Është një ngjarje e rëndë që ka tronditur të gjithë shoqërinë shqiptare. Janë disa institucione të shtetit, që konsiderohen të paprekshme. Kjo që ndodhi ka tronditur shoqërinë shqiptare, por dhe ne që kemi qenë pjesë e sistemit të drejtësisë. Do të lërë gjurmë.
Çfarë tregon ngjarja?
Do të isha i kujdesshëm për të komentuar se kush e ka fajin dhe sa është niveli i sigurisë. Kur ndodh në SHBA. Nuk është e padëgjuar, por është e rëndë. Përgjegjësi është së pari institucionale, që mos të ketë ‘surpriza’ të tilla. Është e papranueshme që një njeri i armatosur të hyjë në ambientet e gjykatës, që këtu është diçka e ndjeshme. Në thelb, edhe vetë vrasja është më shumë se institucionale. Një nga gjërat që më ka lënë impresion të thellë, është se si ka reaguar media sociale. Për fat të keq këtu ka njerëz që thonë; mirë iu bë sistemit të drejtësisë dhe jo zotit Kalaja. Kjo është shumë e rëndë. Ne sa herë kemi zgjedhje, bëjmë shumë polle. Nëse ka diçka që këto institucione që merrem me opinionin publik, duhet të pyesin se sa të besueshëm janë institucionet te publiku. Ne papritur kemi një opinion publik që është i ndarë shumë thellë dhe me gjuhë urrejtjeje.
Në këndvështrimin tuaj si është e mundur që një njeri hyn në sallën e gjyqit i armatosur….Sa mund t’ju shkonte në mendje diçka e tillë?
Nuk është diçka e papritur! Kjo është çështje disipline institucionale. Ka një problem. Kam qenë drejtues i një institucioni sigurie dhe kjo çështje ishte e padiskutueshme. Shpesh herë ka ndodhur që këto detyra të ruajtjes së sigurisë iu janë besuar privatit, kjo për mua ka qenë tendencë e tepërt. Kush merre tenderin, ajo kompani duhet të kalojë në një ‘skaner’. Sa të kualifikuar janë ata njerëz atje. Se roja e sigurisë në gjyq kishte deklaruar se nuk ndihej mirë. Kjo gjë ka të bëjë me administratën që të marrë masa. Sot gjykatat duken si stacion autobusi. Një institucion i tillë, mbushet plot. Aty duhet të jenë vetëm njerëz që kanë punë për të bërë.
Është më mirë kështu, që institucionet të ruhen nga privati apo siç kanë qenë?
Edhe më parë mund të kishte ndodhur kjo ngjarje. Edhe jashtë kanë ndodhur. Ka munguar disiplina. Në institucionet e kësaj natyre nuk mund të futesh kushdo. Kështu ndodh dhe në spitale. Në spital nuk lejohet të hysh brenda.
A ka përgjegjësi shtetërore?
Është pak të thuash shtetërore. Është relaksim social. Njerëzit duhet të respektojnë rregullat e institucioneve. Këto rregulla duhet t’i respektojnë ata që janë të ngarkuara me këto detyra. Kjo është ajo se çka e bën shteti. Përgjegjësia e parë duhet parë te shteti. Ai që është kancelari i gjykatës, është përgjegjësi kryesor. Nuk ka punë gjyqtari se kush hyri dhe doli.
Po për ata që i drejtojnë sytë si kritikë te Drejtoria e Policisë dhe Ministria e Brendshme…
Nuk e di se kujt i bie përgjegjësia që të bëjë mbrojtje fizike, por me aq sa kuptoj unë duhet ta ketë si përgjegjësi Drejtoria e Burgjeve, apo ministria e Drejtësisë. Nuk ka rëndësi se kush është e përcaktuar, por ai që është, duhet të bëjë detyrën. Gjyqtari është një person që ka status të rëndësishëm shoqëror. Është një shthurje sociale. Ne jemi dëshmitarë, që ka institucione të shtetit, ku njerëzit janë masivisht brenda, pa arsyeje.
Në një vend ku funksionon protokolli i sigurisë, çfarë duhej të ndodhte pas 24 orësh institucionalisht?
Kancelari, apo drejtuesi i kësaj administrate, duhej të jepte dorëheqje. Nëse është kompania private që ka marrë përsipër këtë punë, kompania private, duhet të merret në hetim dhe t’i hiqet licenca. Ai roja që tha; ‘më dhimbte koka’, është thjesht bishti i kavallit. Duhet një reformim. Duhet një riorganizim themelor i kësaj administrate. Nëse drejtuesi i këtij institucioni nuk është përgjegjës drejtpërdrejtë, është moral. Te dera është një polic që është i shfokusuar.