Këtë të premte, në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion, ka nisur seanca në ngarkim të Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj, lidhur me atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.
Në sallën e gjyqit në cilësisë e dëshmitarit u paraqit, Erjon Alibej, i cili ka statusin bashkëpunëtor i drejtësisë në dosjen “Plumbi i Artë”.
Alibej deklaroi se njeh vetëm Plarent Dervishajn, ndërsa për Julian Meçajn tha se nuk e njihte personalisht.
Gjithashtu, ai tha se me Dervishajn u bë përmes dajës së bashkëshortes së tij, i cili i mundësoi një takim në fabrikën e cigareve në Librazhd.
“Me Plarentin nuk më lidhte asgjë. Plarentit më vonë i ndodhi një atentat dhe unë interesohesha me Plarentin si për hallet e mia. Dhe ia përcillja të gjitha të dhënat. Na vinin fjalë se atentatin që i kishin bërë, më thonin e ka bërë Lul Berisha. Unë ia thash ta gjykojë vetë këtë informacion. Më vinin dhe informacione për hallet e mia. I kam dërguar edhe në sistemin TIMS foton e njërit me mbiemër Kabashi. Kam pasur një punonjës policie gjatë gjithë periudhës që më jepte të dhëna gjithë kohën. Ka qenë punonjës policie në Elbasan.
Punonjësit ia shpërbleja ndihmën. E pajisa dhe me Sky dhe me EnchroChat. Ia bëja unë rimbushjen. Rimbushja ka qenë 600 € në atë periudhë. Redjan Rrajën e kam dëgjuar për herë të parë në televizor. E dija që pas atentatit të prokurorit Arjan Ndoja ishte Plarent Dervishaj. Pas atentatit të prokurorit, kemi biseduar gjatë. U zbulua shpejt si ngjarje, sepse personat që bënë atentatin kishin lënë syze, nuk i kishin djegur makinat, ishin trembur kur kishin dy persona afër dhe gabuan. Më thotë Plarenti që e kam shok të ngushtë Redjan Rrajën, dhe donte të futej në makinë me zor që të merrte pjesë dhe ai.
Plarenti më thotë që jam duke u interesuar për të fshirë provat në laborator. Më tha që i kishin kërkuar 300 mijë € dhe po priste përgjigje. Kjo ka qenë pjesa kur Redjan Rraja është përmendur për herë të parë. Unë i dërgoja informacione Plarentit, sepse në atë periudhë donin të më ekzekutonin me snajper. Por atëherë, donin të vrisnin edhe Plarentin me snajper te një lokal te Vollga.
I thashë bëj kujdes. Kur shpëtoi prokurori, diskutova me Plarentin që Arjan Ndoja shkonte në një lokal në Gjirin e Lalzit dhe fliste që po përgatitej ta godiste atje. Aleksandër Lahon nuk e mbaj mend mirë, Plaurenti nuk e llogariste fare. Fliste gjithmonë, thoshte janë mbyll fare. E kishte te prokurori fokusin”,– tha Alibej.