Atentati ndaj Alibeaj më 8 janar, Braho tregon të vërtetën: Di shumë gjëra

Spartak Braho bëri një deklaratë të fortë para protestës së 8 Janarit që shtoi tensionet mes palëve.

Në fakt bëhej fjalë për Enkelejd Alibeaj teksa sipas Brahos jeta e deputetish ishte në rrezik pasi  synonohej vrasja e tij.

Në ditën e protestës më 8 janar, Enkelejd Alibeaj u mbrojt menjëherë nga Garda.

Por pas protestës, Braho këmbëngul se informacioni për vrasjen e deputetit të PD-së ishte i vërtetë për emisionin “Natën e mirë dhe paç fat”.

“Informacioni është informacion. Ka burimet e tija dhe jo në të tëra rastet bëhen publik me hollësira, por unë do të them diçka. Alibeu ka bërë mirë që nuk shkoi atje. Mos të ngrihet si gjel deti tani nga Mallakastra dhe të thotë që ishte shantazh. Se konsideratat e tjera, në daç të PD, ndaç të të tërë deputetëve të PD-së që ishin të ngujuar atje, e panë qartë aty që kishin ardhur për dhunë, terror dhe gjak. Ajo që thashë unë ishte plotësisht e saktë dhe u realizua. A do t’i hapim letrat? Sali Berisha ka njerëz në grupin parlamentar të Lulzim Bashës, të infiltruar. Punojnë me dy karrige. Në heshtje janë të Bashës dhe në heshtje punojnë për Berishën dhe atë ditë është programuar që me çdo kusht duhet të hakmerremi, të krijojmë një alibi dhe ta realizojmë. E gjithë historia politike e Berishës që nga 1991 deri më sot është ajo e vrasjeve pas krahëve. Ai ka patur ndikimin e tij, siç thotë populli “qyqja nuk i çel zogjtë në folenë e saj, por diku tjetër”, edhe ai këtë punë ka bërë. Basha e di shumë mirë që do të kishte të vrarë. Kjo e detyroi ta shihte me seriozitet dhe blindoi dyert. Bëri mirë. Sali Berisha derën e shtëpisë e ka të blinduar. Të tërë ata që bërtasin “pse u blindua?”, dyert e shtëpisë i kanë të blinduara. Kjo është arsyeja që Basha thirri kosovarë dhe gjakovarë për të mbrojtur jetën e tij. Nëse nuk arrestohet Sali Berisha, do ketë viktima. Sali Berisha është sekt vrasës. Ka krijuar sekt vrasës me njerëz të afërt, tropojanë dhe nga zona të veriut që janë kamikazë” u shpreh ai.

Por a u përdor Spartak Braho nga Edi Rama për “t’i hedhur benzinë zjarrit” që po digjet mes demokratëve përmes një spekulimi si ky i vrasjes? Apo deklarata e tij, qe një sinjal për ta paralajmëruar Bashën publikisht, për rrezikun serioz që i kanosej në 8 Janar njerëzve të tij?

Të dyja variantet duhen marrë në konsideratë, duke marrë parasysh se në të njëtin emision në Vizion Plus, Spartak Braho pranoi se ishte takuar me Ramën disa ditë më parë. Mes të tjerave, Braho i kishte kërkuar kryeministrit të distancohej nga Vangjush Dako.

“Unë kam 30 vjet në politikë. I njoh mirë të tërë, me të mira e me të këqia. Di shumë gjëra. Nuk përpiqem të bëj shantazh me këto që di unë. Unë dua që secili të korrigjohet dhe ia them edhe veç e veç, edhe troç. Biles para disa ditësh ia thashë edhe kryeministrit në një takim të rastësishëm. I thashë: Ndahu nga Vangjush Dako! Sindromi Dako është baras sindromi i hajdutit shtetëror, privat. Sindromi i një njeriu që pasi shfrytëzoi të tëra strukturat politike dhe i gllabëroi, i korruptoi, i bleu dhe në llogari të interesave të tija okulte dhe pasurore. Le që s’ka më Parti Socialiste në Durrës të themi të vërtetën, por po na merr në qafë edhe disa shtetarët tanë që vijnë dhe hanë dreka darka në Durrës me të” tha Braho.

Para protestës, Enkelejd Alibeaj tha se nuk i kishte marrë seriozisht paralajmërimet e Spartak Brahos, megjithëse pranoi se mbështetësit e Berishës erdhën për të vrarë në seli.

“Që të ngresh një tezë bazuar tek deklarata e Brahos nuk besoj që e meriton. Nuk ka burrë nënë që mund ta tut, apo ta shantazhojë apo të bëjë negociata me disa parime të vetat. Jo të më shantazhojë mua Edi Rama apo dikush tjetër nuk ka për të ndodhur kurrë dhe për këtë i kam dhënë provat. Me këtë çështje nuk merrem fare. Nuk i kushtova rëndësi deklaratës së bërë Brahos, pati disa shqetësime nga ana e familjes. Nuk ka shoqërues nga Garda. Ditën e shtunë një këshilltar i imi tha të bëjmë një kërkesë, por nuk e kisha problem dhe në mënyrë miqësore erdhi një”, tha Alibeaj.