Pas atentatit me lëndë plasëse, ku gjeti vdekjen 58-vjeçari Isuf Jaçaj, banorët e lagjes numër 3 të Sarandës, rrëfejnë tmerrin e përjetuar nga shpërthimi i fuqishëm.
Teksa shprehin keqardhje për ngjarjen e rëndë, dy të moshuara thonë se siguria e jetës në Sarandë po bëhet gjithnjë e vështirë, për shkak të ngjarjeve të shumta kriminale.
“E dëgjova shpërthimin, kush e di se sa ton dinamit i kishin vënë. Ku e di unë se ça ka bërë ai baba, që e ka djalin nëpër burgje. Më është prishur gjaku. E dëgova zhurmën dhe u tremba”, – tha një banore e zonës.
Ndërsa një tjetër e moshuar tha se shpërthimi fillimisht iu duk si tërmet. “M`u duk si tërmet”, tha ajo.
Nga shpërthimi u shkaktuan dëme të shumta materiale në banesat dhe bizneset përreth, ndërsa policia ka shoqëruar deri tani mbi 10 persona, ndër ta edhe banorë të lagjes numër 3 .
Dyshohet se shpërthimi i telekomanduar u krye nga dy persona, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.
Viktima, me precedent penal
Viktima, e njohur edhe me nofkën “Bushi”, kishte një të kaluar të ngarkuar penale, me episode të dhunshme që datojnë që para viteve 2000. Në qershor të vitit 2010, Jacaj mbeti i plagosur pas një konflikti me sende të forta në lagjen nr. 4, ndërsa në tetor 2011 i shpëtoi një atentati me armë zjarri, po në Sarandë. Në korrik 2022, u përfshi në një tjetër përplasje, ku u arrestua me një përforcues grushti, ndërkohë që një tjetër person u kap me armë zjarri.
Në vitet e fundit, Jacaj ishte angazhuar në sektorin e turizmit, duke transportuar turistë me skafin e tij në zonat bregdetare përreth Sarandës.
Pista kryesore e hetimit, hakmarrje për djalin
Një nga pistat kryesore që po hetohet është ajo e hakmarrjes, në lidhje me ngjarjen e 17 korrikut 2025, ku djali i viktimës, Klaus Jacaj, 31 vjeç, aktualisht i arrestuar për “përkrahje të autorit të krimit”, dyshohet se ka qenë i përfshirë në një ngjarje të rëndë kriminale. Në atë ngjarje, Ramadan Zoto plagosi me armë zjarri dy persona, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama, në lagjen nr. 4 të Sarandës.
Vetëm pak ditë pas asaj ngjarjeje, më 21 korrik, një person i maskuar me maskë silikoni vendosi lëndë plasëse në automjetin e Klaus Jacajt, duke e shkatërruar plotësisht. Rasti mbetet ende i pazbardhur dhe autorët nuk janë identifikuar.
Sarandë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 22:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet tip Toyota, në pronësi të shtetasit I. J. Ky shtetas dyshohet se është edhe personi që ndodhej brenda në automjet i cili si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.