Atentati me dy viktima në Shkodër, reagon kryebashkiaku Benet Beci: Ngjarja duhet të marrë ndëshkimin e ashpër të ligjit, qytetarët nuk meritojnë të përballen me skena të tilla

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka reaguar në rrjetin e tij social “Facebook”, lidhur me atentatin e rëndë me dy viktima dhe dy të plagosur që tronditi mëngjesin e sotëm qytetin e Shkodrës.

Teksa shpreh tronditjen për ngjarjen, Beci kërkoi ndëshkim të ashpër ligjor për autorët.

Reagimi:

“Të dashur qytetarë, ky mëngjes për Shkodrën nuk ishte ai i zakonshmi, siç ndodh çdo ditë në qytetin tonë. Një ngjarje kriminale që duhet të marrë ndëshkimin e ashpër të ligjit ka tronditur zemrën e qytetit. Kam kontaktuar me Ministrin e Brendshëm dhe me të gjitha strukturat që luftojnë krimin, në emër të jetës dhe sigurisë së qytetarëve të Shkodrës, të cilët nuk meritojnë të përballen me skena të tilla”, shkruan Benet Beci në Facebook.

Në atentatin në Shkodër, u vranë me automatik, Armando Pali, punonjës i IKMT-së dhe Liridon Kraja,  (Lushi), ndërsa mbetën të plagosur Erogen Vaso (Brajoviç), i cili ndodhej në tavolinë me viktimat, si edhe kamarierja në lokal Meri Kaceri.

Ngjarja ndodhi rreth orës 08:50, në lagjen “Qemal Stafa”, në ambientet e jashtme të një lokali.

Gjithashtu, si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën në vendngjarje Armando Pali, ndërsa në Spitalin Rajonal Shkodër ka ndërruar jetë edhe 31-vjeçari Liridon Kraja (Lushi).

Njoftimi i policisë:

Shkodër / Informacion paraprak

Rreth orës 08:50, në lagjen “Qemal Stafa”, në ambientet e jashtme të një lokali, dyshohet se shtetasi R. G. ka qëlluar me armë zjarri dhe si pasojë janë plagosur shtetasi Erogen Vaso (Brajoviç), 43 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, si dhe shtetasja Meri Kaceri., 25 vjeçe, e cila është dëmtuar lehtë.

Gjithashtu, si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën në vendngjarje shtetasi Armando Pali, ndërsa në Spitalin Rajonal Shkodër ka ndërruar jetë edhe shtetasi Liridon Kraja (Lushi), 31 vjeç.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorit. Pas disa minutash ndjekjeje, bënë të mundur kapjen e tij dhe sekuestruan një armë zjarri automatike.

Ndërkaq, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

 


Shtuar 8.09.2025 11:46