Asociacioni që përfundoi në deklaratën e Josep Borell kur Kosova e Serbia u dakorduan për targat dhe zbatimin e marrëveshjeve të kaluara, mund të përdoret nga të dyja palët si kushtëzim. Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq kërkoi që të themelohet ky mekanizëm para çdo bisede të mëtejme për planin franko-gjerman. Por, sipas analistit Shkëlzen Gashi, nëse Serbia mban këtë qëndrim, Kosova duhet t’i kushtëzojë negociata me njohjen nga Serbia. Ndërsa Agon Maliqi konsideron se negociatat paralele për Asociacionin dhe propozimin franko-gjerman vetëm do ta forconin pozicionin e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti pret të nisin diskutimet për planin franko-gjerman, ndërsa “ditët e ardhshme” të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borell, nisën të bëhen javë. BE-ja i ka thënë sot Gazetës Express se do të njoftojë për çdo takim të ardhshëm të Kurtit dhe Vuciqit, “kur të jetë e përshtatshme”.
Kurti pranoi marrëveshjen për targat, që ai preferon ta quajë dakordim, kur aty u përfshi zotimi se do të flitet menjëherë për normalizimin e raporteve, sipas propozimit franko-gjerman, i emëruar tani si propozimi evropian. Dhe, në deklaratën Borrellit, thuhej se “Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët janë pajtuar me masat për të evituar eskalimet dhe për t’u koncentruar në çështje urgjente, në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve, siç është prezantuar këtë shtator nga BE-ja dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania”.
Te deklarata e njëjtë e Borellit më 23 nëntor, thuhej se “Palët e kuptojnë që të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën duhet të zbatohen”.
Në interpelancën e sotme në Kuvend, kryetar i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ia ka lexuar Kryeministrit Kurti këtë pjesë të deklaratës në Kuvend, duke e pyetur: “Pse jeni pajtuar që të bëhet Asociacioni?”.
Abdixhiku tha se Kurti bëri fushatë kundër Asociacionit, ndërsa tash tha se “zotoheni për implementim”.
A i bie se në dakordim u përfshi edhe formimi i Asociacionit?
Sipas opinionistit Agon Maliqi, fjalia ku thuhet se palët e kuptojnë se marrëveshjet e mëparshme duhet të zbatohen, nënkupton edhe pranimin e formimit të Asocacionit nga Kosova.
“Deklarata e BE thekson se pas zgjidhjes së çështjes së targave, propozimi franko-gjerman është tani në tavolinë për t’u diskutuar. Por, në fjalinë vijuese ajo shton se “palët kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme duhet të zbatohen”. Kjo gjithsesi kuptohet si pranim nga ana e Kosovës se Asociacioni duhet të formohet, njësoj siç nënkupton edhe zotim prej Serbisë se serbët do të kthehen në institucione”, ka thënë Maliqi për Express.
Çështja e vetme e cila mbetet e paqartë, sipas Maliqit, është radhitja, pra, nëse marrëveshjet duhet të zbatohen plotësisht para se të diskutohet për normalizimin sipas propozimit franko-gjerman.
Ai thotë se nga formulimi i BE-së nuk caktohet ndonjë afat për zbatimin e marrëveshjeve që i kanë nënshkruar Kosova dhe Serbia më përpara.
“Besoj se ky formulim në deklaratën e BE-së lë hapësirë që të dyja diskutimet të ndërlidhen dhe që prej Kosovës mund të kërkohet vetëm nisja e procesit të draftimit të statutit. Një diskutim paralel mbi statutin dhe marrëveshjen e normalizimit parimisht e forcon pozitën negociuese të Kosovës, por për këtë kërkohet mbështetje ndërkombëtare, ndërkohë që kreditë të rëndësishëm u humbën rreth çështjes së panevojshme të targave”, pohon Maliqi.
Studiuesi Shkëlzen Gashi thotë se është është e vërtetë se Qeveria e Kosovës në dakordimin e 23 nëntorit 2022, duke pranuar se e kupton që marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen, në mënyrë implicite ka pranuar se duhet të ketë asociacion të komunave me shumicë serbe.
Megjithatë, Gashi thotë se ka dallim nga negociatat e kaluara tash, kur në Bruksel shkon Kryeministri Kurti. Ai nuk e mohon se mund të formohet një lloj asociacioni, pa kompetenca ekzekutive, por, sipas tij, kjo e Qeveri e pranon vetëm pasi Kosova të njihet nga Serbia.
“Por, janë dy çështje me rëndësi këtu: e para, për dallim nga dekada e kaluar, kur përfaqësuesit e Kosovës pranonin marrëveshje me Serbinë me shpresën se në fund do të ketë njohje, këtë herë jam thellë i bindur se Qeveria e Kosovës do të pranojë marrëveshje me Serbinë vetëm nëse ajo e ka njohjen në qendër; dhe, e dyta, njësoj e rëndësishme sa edhe e para, ndoshta mund të ketë farë asociacioni të komunave me shumicë serbe, por, vetëm mbasi ta kemi njohjen e Kosovës nga Serbia, dhe jo asociacion me kompetenca ekzekutive e që e pengon funksionimin e shtetit të Kosovës”
Një javë pas marrëveshjes, çka thotë Serbia?
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka thënë se fillimisht duhet të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, para se të flitet për propozime të tjera.
“Prishtina duhet të fillojë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kjo është pikënisja para së gjithash. Së dyti, nëse marrëveshja nuk zbatohet dhe Prishtina nuk i përmbush obligimet e saja me Marrëveshjen e Brukselit, atëherë nuk e di kush do të garantojë ndonjë marrëveshje tjetër”, ka thënë Bërnabiq.
Shkëlzen Gashi thotë se ashtu siç mund të pretendojë Serbia se nuk flet për çështje të tjera, pa formimin e Asociacionit, edhe Kosova mund ta kushtëzojë negocimin për çështjet e tjera me njohjen nga Serbia.
“Pala serbe mund të pretendojë që pa formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk do të negociojë me Kosovën për çështjet tjera. Mirëpo, edhe Kosova mund të këmbëngulë se pa njohjen nga Sërbia, Kosova nuk do të negociojë me Serbinë për çështjet tjera”.
Gazeta Express ka pyetur Qeverinë e Kosovës rreth deklaratës së kryeministres serbe dhe mundësisë që të kushtëzohet diskutimi rreth propozimit franko-gjerman, me formimin e Asociacionit. Dhe, poashtu, nëse Kurti ka marrë ftesë nga Borrell për takim në Bruksel. Deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje.
Sipas deklaratës së Borrellit, do të nisë menjëherë dialogu për normalizim të raporteve, sipas propozimit evropian, të mbështetur nga Franca dhe Gjermania. Kishte mbetur që ai t’i thërrasë palët “në ditët e ardhshme”. /Express/