ASNJË NË QELI PËR “B*MBAT”/ Gjykata liron të arrestuarit për molotovët në protestën e PD

14 protestuesit e arrestuar për akte dhune ndaj punonjësve të policisë do të hetohen në masën e detyrimit për paraqitje. Gjykata e Tiranës vendosi lirimin e tyre, pavarësisht se nga prokuroria u kërkua që 5 prej tyre të vendoseshin në masa shtrënguese dhe kufizuese. Avokatët thonë se mes të ndaluarve kishte edhe persona me aftësi të kufizuara.

Të gjithë të arrestuarit për akte dhune gjatë protestës kombëtare të opozitës më 10 Shkurt para kryeministrisë dhe Kuvendit, do të hetohen në gjendje të lirë!

Gjykata e Tiranës nxorri nga qelia edhe 14 të akuzuarit e rritur, një ditë pasi liroi 7 të miturit, që po ashtu ishin vënë në pranga për sulmet me bomba molotov, fishekzjarre apo sende të forta ndaj forcave të policisë dhe godinave të institucioneve.

Togat e zeza nuk pranuan kërkesën e prokurorisë për vendosjen në burg për 2 prej tyre dhe arrest shtëpie për 3 të tjerë.

Organi i akuzës i tha gjykatës se këta të rinj kanë kryer veprime aktive në protestë, duke kundërshtuar punonjësit e policisë dhe duke qëlluar ndaj tyre. Për mediat, avokatja Eda Grimci u shpreh se masat e detyrimit për paraqitje janë në kundërshtim me ligjin, ndërsa shtoi se do t’i drejtohet Apelit.

Para gjykatës, në pritje të vendimit, ishin edhe deputetë të PD-së, ku njëri prej tyre, Luciano Boçi, tha se drejtësia ishte nën trysninë e Edi Ramës dhe Taulant Ballës.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Punëve të Bredshme në reagime pas protestës, i cilësuan armë me kapacitet vdekjeprurës, bombat artizanale të përdorura në sulmet e një grupi protestuesish ndaj forcave të Policisë. Përfaqësuesit e qeverisë i kërkuan Gjykatës që të ndëshkojë përgjegjësit.


Shtuar 14.02.2026 18:30

Tags: ,