VIDEO/ Asgjësohen mbi 1000 fidanë kanabis në Nikël dhe Fushë-Krujë, në kërkim “pronarët” e plantacioneve

Policia ka zhvilluar kontrolle intensive në zona të pyllëzuara të Niklës me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Në operacion morën pjesë shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, ato të Stacionit të Policisë Fushë Krujë, Forca e Posaçme Operacionale e DVP Durrës dhe FNSH Tiranë.

Në kuadër të operacionit “Territor i pastër” u konstatuan dhe asgjësuan 1140 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.

Kontrollet janë përqendruar në zonat e pyllëzuara të territoreve të Niklës dhe Fushë Krujës. Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë konstatuar 1140 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, në kubikë dhe të hedhur në tokë së fundi, me qëllim kultivimin. Fidanët u asgjësuan me anë të djegies.

Ndërkohë, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Krujë dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtyre tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Shërbime të shtuara të Policisë do të vijojnë kontrollet edhe gjatë ditëve të ardhshme, në të gjithë territorin e rrethit Krujë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”./Albeu.com/


Shtuar 21.04.2023 11:26