Situata nga zjarret në zonën e Delvinës mbetet shqetësuese, ndërsa gjatë përpjekjeve për shuarjen e tyre ka ndodhur një incident serioz.
Nënkryetari i Bashkisë së Delvinës, Filip Xuxi, është asfiksuar nga tymi teksa ndodhej në vijën e parë të frontit të zjarrit, si pjesë e grupit të emergjencës që po punon për kontrollin e situatës.
Xuxi u transportua me urgjencë në spital në gjendje të rënduar shëndetësore për shkak të inhalimit të tymit në sasi të mëdha. Ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve në repartin e urgjencës, dhe gjendja e tij po monitorohet nga afër.
Zjarret kanë përfshirë disa zona pyjore përreth qytetit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe duke vështirësuar ndërhyrjen për shkak të terrenit të vështirë dhe erërave të forta.
Autoritetet lokale dhe forcat zjarrfikëse po vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët, duke apeluar për ndihmë shtesë dhe kujdes maksimal nga banorët e zonës.