Nga Natalia Antonova “Foreign Policy”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Videoja zgjat vetëm disa sekonda. Një ushtar ukrainas qëndron para një gropë të vogël që e ka hapur vetë, me një cigare në gojë. Një zë nga prapa kamerës i thotë se po filmohet. “Lavdi Ukrainës!”- thotë me qetësi ukrainasi. Pak sekonda më vonë trupi i tij bëhet shoshë nga plumbat që vijnë nga shumë drejtime, ndërsa njeriu që filmon i thotë:”Ti bastard!”.
Ndërsa të shtënat pushojnë dhe ushtari dergjet i pajetë në tokë, shihet shpërfytyrimi i tij. Ndërsa dikush tjetër, pak metra më larg, dëgjohet duke thënë:”E çfarë lavdie për Ukrainën? Ti vdiqe bastard!”- përsërit njeriu që filmon, përpara se videoja të ndërpritet. Burimi i parë publik i videos duket të jetë Serhii Sternenko, një aktivist i njohur ukrainas, aktualisht vullnetar në luftë, edhe pse mënyra se si u zbulua kjo video është për momentin e paqartë.
Sepse Sternenko nuk e ka zbuluar burimin e tij. Viktima në video u identifikua fillimisht si Tymofii Shadura, një ushtar i Brigadës së 30-të të Mekanizuar. Por disa ditë më vonë, ekspertët ushtarakë thanë se ai ishte Oleksandr Matsiyevsky, një ushtar i mbrojtjes territoriale. Matsiyevsky u konfirmua përfundimisht disa ditë më vonë.
Shadura mbetet i zhdukur në aksion, ndërsa trupi i Matsiyevsky iu rikthye familjes dhe u varros më 14 shkurt 2023. Pasi u konfirmua identiteti i tij, Matsiyevsky mori titullin Hero i Ukrainës pas vdekjes. Ekzekutimi i të burgosurve përbën një krim lufte. Dhe ky rast është vetëm një nga qindra mizoritë e dokumentuara të kryera nga pushtuesit rusë që nga fillimi i kësaj lufte.
Por krimet filmohen shumë rrallë në kamera. Reagimet fillestare ndaj videos, tregojnë se sa larg realiteti është publiku rus. Shumica e mbështetësve të luftës së Rusisë kundër Ukrainës e kanë lavdëruar aktin makabër. Qëndrimi sfidues i ushtarit ukrainas i irritoi ata, por rusët ishin po aq të irrituar nga ideja se të burgosurit duhet të trajtohen në mënyrë njerëzore.
Një kanal i mediave sociale kushtuar grupit paraushtarak rus Wagner, famëkeq për krimet e tij të luftës në Ukrainë dhe gjetkë, e kritikoi videon. Ndërkohë disa rusë nxituan të fajësonin Shtetet e Bashkuara për brutalitetin e trupave ruse. “Kjo është ajo që donin amerikanët dhe anglo-saksonët. Tani gjërat nuk mund të ndalen”- shkroi njëri prej tyre.
Vetëm pak orë pas publikimit të videos, nisën të përhapet teoritë e zakonshme konspirative se videoja ishte një provokim i inskenuar. Një sjellje e ngjashme me atë ndaj krimeve të tmerrshme të rusëve në qytetin e çliruar të Bucha dhe qyteteve të tjera që kishin qenë të pushtuara nga rusët.
Fansat e Wagner Group nuk janë domosdoshmërisht përfaqësues të publikut rus. Por kjo është një tendencë që shkon përtej tyre. Me gjithë verifikimin e mizorive ruse, përgjigja është gjithmonë e njëjta:“Nuk e bëmë ne. Është një komplot për të na diskredituar!”. Ose dominon heshtja. Dhe kjo mos-përgjigje nuk synon të jenë logjike. Por diktohet nga ideja se rusët janë natyrshëm të virtytshëm, dhe se është pjesa tjetër e botës ajo që po komploton kundër tyre.
Mohimi nuk është i pazakontë në kohë lufte, nga mizoritë e ushtrisë franceze në Algjeri deri tek ato të amerikanëve në Vietnam. Por ajo që e bën kaq flagrant mohimin rus, është se ai është përfshirë në ligj nga qeveria. Ta quash luftën çdo gjë tjetër përveçse një “operacion ushtarak special” përbën një krim në Rusi.
Po aq i paligjshëm është raportimi me ndershmëri mbi luftën dhe mizoritë që e shoqërojnë atë. Përqindja e vogël e qytetarëve rusë që janë përpjekur të rezistojnë publikisht ndërsa qëndrojnë ende në vend, është duke e mbyllur gojën. Shumica ka një qëndrim të përzier, duke qenë sa bashkëfajtore aq edhe e vetëkënaqur me luftën.
Por asnjëra nga këto nuk ndodhi brenda natës. Nën sundimin e presidentit Vladimir Putin, Kremlini ka marshuar prej vitesh drejt fashizmit, dhe publiku i ka shkuar nga pas. Modeli rus i mohimit dhe ai i projeksionit të fajit tek tjetri është historik. Edhe ata pak rusë që i pranojnë tmerret e bolshevizmit dhe terrorin e madh të liderit sovjetik Josif Stalin, ka të ngjarë të përdorin justifikime.
Ku isha fëmijë, të afërmit rusë nga ana e nënës sime më thoshin se revolucionari Vladimir Lenin u dërgua në Rusi si një virus nga gjermanët, duke korruptuar një Perandori Ruse që ishte e lumtur dhe e begatë. Pra po të mos ishin gjermanët e “poshtër”, fatkeqësitë që pësoi shoqëria ruse në shekullin XX-të dhe mizoritë e tmerrshme që i shkaktuan rusët njerëzve të tjerë, nuk do të kishin ndodhur kurrë, këmbëngulnin të afërmit e mi.
Ata mund ta pranonin deri diku që sovjetikët kryen edhe gjëra të tmerrshme. Por ato krime nuk mund të ishin kurrë ruse. Stalini ishte një maniak gjenocidal në të njëjtin nivel me Hitlerin, dhe ai u ndihmua nga një aparat entuziast për torturat, urinë, përdhunimet dhe vrasjet.
Gjermania naziste u pushtua dhe u gjunjëzua. Sovjetikët, nga të cilët rusët ishin grupi dominues, u lanë të vuanin në diktaturë pas Perdes së Hekurt. Deri më sot, nuk ka pasur një përgjegjësi të vërtetë për krimet e epokës sovjetike. Atëherë pse të mos vazhdohet me krimet thonë rusët?
Ekziston një arsye pse organizatat e të drejtave civile si Memorial, të mbyllura në prag të pushtimit masiv rus të Ukrainës në shkurt 2022, e kanë bërë tradicionalisht shumicën të ndihet në siklet. Nuk ishte vetëm Kremlini që e urrente Memorial për dokumentimin e përpiktë të krimeve sovjetike.
Pjesa më e madhe e publikut e kundërshtonte misionin e tij, sepse ishte shumë afër shtëpisë.
Zemërimi që po shohim dot të derdhet mbi Ukrainë, është zemërimi i atyre rusëve, të cilët mendojnë se duhet të rikthehet e kaluara sovjetike. Ukrainasit vënë në dukje faktin që
Stalini i la të vdisnin urie?
Gabim! Keq! Ukrainasit shohin një të ardhme me BE-në? E neveritshme! E kush mendojnë se janë këta fshatarë mosmirënjohës? Këto janë tendencat e imperializmit të dhunshëm dhe të një shoqërie kaq shumë të deformuar nga e kaluara e saj, saqë tërhiqet nga çdo lloj përgjegjësie, ashtu siç i ikën një vampir rrezeve të diellit.
Prandaj edhe vrasja e filmuar në video, pritet me një reagim sikur thjesht nuk ka ndodhur. Ose nëse ndodhi, ishin perëndimorët e “këqij” ata që poshtëruan dikur rusët. Ose siç do të theksojë një grup tjetër njerëzish “Lufta është një Ferr dhe gjatë saj ndodhin gjëra të këqija” duke harruar me lehtësi se viktima u vra në tokën e tij, se nuk kishte pushtuar askënd, dhe thjesht po mbronte shtëpinë e tij.
Sot Rusia është një shoqëri e përgjakshme, që po ndjek rrugët më të lehta për të dalë nga vështirësitë e saj. Për shembull është më e lehtë ta justifikosh videon dhe shumë krime të tjera që përfaqëson ajo. Përndryshe, mund t’ju duhet të jepni llogari qoftë edhe moralisht, dhe kjo gjë është e dhimbshme.
Duke u përballur me këto fakte të tmerrshme për Rusinë, një vend dhe kulturë që dikur e kam dashur, mendja ime kthehet sërish tek ushtari ukrainas. Ai e dinte se çfarë do të ndodhte. Megjithatë u përball me guxim me vrasësit e tij, me vetëdijen se kauza e tij ishte e drejtë.
Vdekja vjen një ditë për të gjithë, por jo të gjithë jemi në gjendje ta përballojmë fundin duke e ditur se kemi bërë mirë në këtë jetë. Në këtë aspekt, fjalët e fundit të ushtarit “Lavdi Ukrainës!”, nuk janë vetëm një mesazh sfide, por edhe shprese. Kauza e tij do të vazhdojë. Edhe pse ka vdekur fizikisht, ai ka fituar tashmë.
Shënim:Natalia Antonova, shkrimtare, gazetare dhe eksperte e sigurisë në internet me banim në Uashington.