Artur Meçollari ndan lajmin: SPAK nis hetimet për ndërtimet në bazën detare të Sarandës dhe Shëngjinit

Ish-Komandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari, ka njoftuar se do të nisin hetimet për ndërtimet në Bazën Detare të Sarandës dhe Shengjinit.

Sipas tij SPAK ka nisur hetimet pas denoncimit të tij.

Në një postim në Facebook, Artur Mecollari gjithashtu dha lajmin se Gjykata e Tiranës pushoi çështjen penale për shpifje ndaj Mecollarit, i denoncuar nga Ilir Xhebexhiu, Gjeneral Brigade dhe Komandant i Forcave Detare.

Ndër të tjera, Artur Meçollari thotë në postimin e tij se ai u padit për shpifje pasi denoncoi ndërtimet e paligjshme në Bazën Detare të Shëngjinit.

NJOFTIM:

Gjykata Penale e Tiranës pushoi sot çështjen penale kundër meje.

Sot, me vendim të Gjykatës Penale të Shkallës së Parë të Tiranës u pushua çështja penale, për akuzën e kundravajtjes penale të shpifjes, me paditës z. Ilir Xhebexhia, Gjeneral Brigade dhe Komandant i Forcës Detare në ngarkim të Artur Meçollarit, Kapiten i Rangut të Parë (L) dhe ish-Komandant në detyrë i Forcës Detare (Zëvendëskomandant).

Akuza për shpifje u ngrit për shkak të problematikave që kisha ngritur lidhur me ndërtimin privat të jashtëligjshëm brenda Bazës Detare të Shëngjinit dhe Operacionit SAR të datës 8 janar 2021, gjatë së cilit motovedeta e Rojes Bregdetare P-116 “Bora” shpëtoi 55 refugjatë sirian, por ndaj komandantit dhe ekuipazhit të motovedetës vijon padia penale për shpërdorim detyre.

Vendimi i Gjykatës Penale të Tiranës pritet të zbardhet së shpejti. Ndërsa për çështjen e ndërtimit në Bazën Detare në Shëngjin, si dhe Bazës Detare të Sarandës, mbas dy kallëzimeve të mia, SPAK ka nisur hetimiet penale.

Një falenderim të veçantë për sistemin e ri të drejtësisë dhe avokatit tim të çështjes Astrit Bajo./albeu.com/


Shtuar 16.11.2021 17:35