Arsimi në tkurrje, numri i nxënësve dhe studentëve ra me 3.7% në vitin akademik 2023-2024

Nga viti në vit ritmet e rënies së nxënësve në arsim po rriten, si pasojë e uljes së lindjeve dhe emigrimit të lartë në popullsinë e re në moshë.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në vitin shkollor 2023-2024, u regjistruan në arsimin zyrtar 533.711 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 3,7%, krahasuar me vitin shkollor 2022-23.

Në vitin shkollor 2023-24, u regjistruan në arsimin parauniversitar (deri të mesëm të lartë) 416.538 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar një ulje prej 3,8%, krahasuar me vitin shkollor 2022-23.

Në arsimin parashkollor, gjatë këtij viti shkollor marrin pjesë gjithsej 66.711 fëmijë, 4,4% më pak, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.

Në arsimin 9-vjeçar, u regjistruan 258.072 nxënës, 54,7% në arsimin fillor dhe 45,3% në ciklin e lartë të arsimit bazë. Krahasuar me vitin shkollor 2022-23, marrin pjesë në arsimin 9-vjeçar 3,4% më pak nxënës.

Në vitin shkollor 2023-24, 88,7% e nxënësve të arsimit 9-vjeçar, u regjistruan në institucionet e arsimit publik dhe 11,3% në institucionet e arsimit privat.

Ndër nxënësit e regjistruar në arsimin 9-vjeçar, vajzat përbëjnë 47,9% të totalit.

Në vitin shkollor 2023-24, u regjistruan në arsimin e mesëm të lartë 91.755 nxënës, duke shënuar një ulje prej 4,3%, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.

Në vitin 2023-24, pjesën më të madhe të nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm të lartë e përbëjnë nxënësit e gjimnazit dhe të arsimit të mesëm social-kulturor prej 82,1%.

Ky proporcion ka mbetur pothuaj në të njëjtin nivel përgjatë tre viteve të fundit.

Pjesa më e madhe e nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm të lartë, ndjek arsimin në institucionet arsimore publike (85,0%).

Në vitin shkollor 2023-24, numri ë mësuesve në arsimin 9-vjeçar është 24.109, ndër të cilët 78,0% janë gra.

Raporti nxënës për një mësues në arsimin fillor publik është 15,1 dhe në atë privat është 15,2. Ndërsa në ciklin e lartë të arsimit 9-vjeçar, raporti nxënës për një mësues në arsimin publik është 7,9 dhe në atë privat 8,0.

Numri i mësuesve në arsimin e mesëm të lartë, është 8.307 prej të cilëve 69,6% janë gra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin e mesëm të lartë është 11,5 në arsimin publik dhe 9,1 në atë privat.

Në arsimin pas të mesmes, jo të lartë, në vitin shkollor 2023-24 u regjistruan 179 nxënës. Femrat përbëjnë 39,7% ndërsa meshkujt 60,3%. 71,5 % e tyre, ndjekin kualifikimin “Ndërmjetësim ë Pasurive të Paluajtshme”, 17,9% “Teknologji Automatizimi” dhe 10,6% “Dizajn dhe Modë”.

Në vitin akademik 2023-24, vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë 116.994 studentë, duke shënuar një ulje prej 3,6% krahasuar me 2022-23.

Studentët që marrin pjesë në arsimin e lartë publik, përbëjnë 72,3% të numrit total të studentëve. Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në vitin akademik 2023-24, marrin pjesë 68.305 studente femra, ose 58,4% e numrit të përgjithshëm të studentëve në arsimin e lartë.

Në programet bachelor, për të njëjtën periudhë, morën pjesë në arsimin e lartë 67.283 studentë, duke shënuar një ulje prej 5,5% krahasuar me 2022-23.

Në vitin akademik 2023-24, ashtu si edhe vitin e kaluar akademik, studentët preferojnë fushën e studimit “Biznes, administrim dhe ligj”, ku është përqendruar një e katërta e numrit gjithsej të studentëve.

Fusha të tjera më të preferuara janë: “Shëndet dhe mirëqenie” dhe “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me përkatësisht 20.9% dhe 19.7% të numrit gjithsej të studentëve të regjistruar.

Fusha “Shëndet dhe mirëqenie” është njëkohësisht edhe fusha me rritjen më të madhe të studentëve të regjistruar krahasimisht me vitin e kaluar (8,8%).