Arrestohet në Londër me qëllim ekstradimi ish-drejtori i bankës në Kombinat! Florant Nako grabiti paratë e klientit nga dega e bankës

Një ish-drejtor banke, i akuzuar për grabitjen e parave të një klienti në vitet 2018 dhe 2019, është arrestuar në Angli. Sipas dokumenteve të gjykatës së ekstradimeve në Londër, të cilave iu referua gazetari i Muhamed Veliu, Florant Nako, 40 vjeç, është prangosur për t’u ekstraduar në Shqipëri me kërkesë të Interpol Tiranës.

Sipas hetimeve, më 15 tetor 2018, Nako vodhi 4,000 euro nga llogaria e Nikolla Nikës në degën e bankës ku punonte në Kombinat. Akuza e dytë lidhet me një tjetër grabitje në të njëjtën degë, më 8 korrik 2019, në shumën 1,300,000 lekë. Një grabitje e tretë, në shumën 550,000 lekë, ndodhi më 26 korrik 2019, gjithashtu nga llogaria e Nikolla Nikës.

Florant Nako pritet të dalë sërish para gjykatës në Londër më 11 nëntor 2025. Policia e Tiranës njoftoi në vitin 2020 se operacioni u finalizua pas një hetimi katërmujor, pas denoncimit të bërë nga banka, ndërsa Nako kishte dhënë dorëheqjen nga pozicioni i tij. Ai përballet me akuzën “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.

Në reagimin e saj, banka deklaronte: Që nga momenti i parë i konstatimit të incidentit, janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura sipas procedurave të brendshme dhe kuadrit ligjor, duke bashkëpunuar ngushtë me organet kompetente për zbardhjen e çështjes dhe mbrojtjen maksimale të interesave të klientit.


Shtuar 7.11.2025 18:21