Arrestohen dy efektivë policie dhe pezullohet nga detyra një tjetër, ja akuzat ndaj tyre

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ka arrestuar dy efektivë policie dhe ka pezullluar nga detyra një tjetër, të cilat kanë të bëjnë me tre raste të ndryshme në Korçë, Elbasan dhe Tiranë.

Më konkretisht, në Korçë është arrestuar shtetasi A. H., 57-vjeç, me detyrë Shef i Zyrës së Inspektim-Parandalimit, në Drejtorinë e Shërbimit të MZSH-së në Bashkinë Korçë, i dyshuar për “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Ai ka shkaktuar aksident, teksa ka qenë duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

“Arrestimi i tij u krye pasi duke drejtuar automjetin Volkswagen Pasat në unazën e qytetit të Korçës, ai është përplasur me mjetin Mercedes Benz që drejtohej nga shtetasi J. S. dhe më pas është larguar nga vendngjarja. Nga aksidenti ka patur vetëm dëme materiale.

Pas testimit të bërë me aparatin Drager ai rezultoi mbi normën e lejuar, në masën 1.07 mg/l. Materialet proceduriale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë”, – njofton AMP.

Ndërkohë, në Elbasan është pezulluar nga detyra punonjësi i policisë Inspektor B. T., 54-vjeç, me detyrë Trup Shërbimi pranë Komisariatit të Qarkullimit Rrugor në Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

“Masa e sigurisë me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” u caktua nga Gjykata e Elbasanit në kuadër të procedimit penal të vitit 2024, ku nga veprimet hetimore të thelluara nën drejtimin e Prokurorisë u bë e mundur grumbullimi i provave dhe fakteve që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se punonjësi i policisë B. T. ka favorizuar drejtues të ndryshëm automjetesh, të cilët kryenin shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, – njofton AMP.

Në Tiranë është arrestuar punonjësi i policisë Inspektor B. M., 24-vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4 në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Përndjekja” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Raportohet se ai ka ushtruar dhunë fizike dhe e ka përndjekur vazhdimisht të dashurën e tij.

“Arrestimi i tij u krye pas kallëzimit të shtetases M.H., 27-vjeçe, e cila ka deklaruar se B. M., ish-i dashuri i saj, më datë 25.05.2025 ka ushtruar dhunë fizike dhe e ka përndjekur vazhdimisht duke i shkaktuar pasiguri në jetën e saj. Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, – raporton AMP.


Shtuar 31.05.2025 11:11