Arrestohen 3 “skifterët” në Himarë, brenda muajit kryen 6 vjedhje

Tre persona kanë rënë në pranga, pasi janë zbuluar 6 vjedhje të kryera nga ata më muajt maj-qershor.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta persona kanë vjedhur në 6 banesa të ndryshme në Himarë, sende personale, pajisje elektrike, vegla pune, biçikleta, aparate celulare, të cilat më pas i shisnin në qytete të ndryshme si Gjirokastër, Vlorë dhe Sarandë.

Policia sekuestroi pinca, 1 peshore, 1 thikë, 1 distributor elektrik, disa metra kabllo elektrike dhe 5 aparate celulare.

Njoftimi:

Zbardhen 6 vjedhje në banesa, të kryera gjatë muajve të fundit në Livadh, Dhërmi e Kudhës, vihen në pranga 3 shtetas, bashkëpunëtorë për kryerjen e këtyre vjedhjeve.

Sekuestrohen disa pajisje dhe sende që i shërbenin kryerjes së kësaj veprimtarie kriminale dhe 5 celularë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Vlorë, Sarandë dhe Gjirokastër, si rezultat i punës së mirëfilltë hetimore dhe operacionale, të kryer menjëherë pas denoncimeve të marra nga qytetarët, për raste të ndryshme vjedhjesh, konkretisht në zonën Livadh, Dhërmi dhe Kudhës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Livadhi”.

Në kuadër të këtij operacioni u zbardhën 6 raste vjedhjesh, të kryera gjatë periudhës maj-qershor 2023, si dhe u identifikuan, u kapën dhe u arrestuan 3 autorët e dyshuar të tyre, konkretisht shtetasit:

-Ritvan Rredhi, 32 vjeç, banues në Vlorë, me precedent penal në fushën e narkotikëve, i cili u lokalizua dhe u vu në pranga në qytetin e Vlorës;

-Ylber Troci, 39 vjeç, banues në Sarandë, i cili u lokalizua dhe u vu në pranga në qytetin e Sarandës;

-Sali Gaxha, 44 vjeç, banues në Tiranë, me precedent penal në fushën e vjedhjes, i cili u lokalizua dhe u vu në pranga në qytetin e Gjirokastrës.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur në 6 banesa të ndryshme në Himarë, sende personale, pajisje elektrike, vegla pune, biçikleta, aparate celulare, të cilat më pas i shisnin në qytete të ndryshme si Gjirokastër, Vlorë dhe Sarandë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pinca, 1 peshore, 1 thikë, 1 distributor elektrik, disa metra kabllo elektrike dhe 5 aparate celulare.

Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta tre shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme

 


Shtuar 17.06.2023 11:31