Arrestimi i Safet Bajrit/ Zbardhet vrasja e Fatbardh Licit, nga shpërthimi i motobombës në tregun e Shkodrës, te ngjarja e rëndë në Dobraç

Një motobombë e shpërthyer, do të hidhte në erë njerëz e gjithçka kapi me rrezen e vet. Amullia e ankthit dhe e frikës që pushtoi atë ditë Shkodrën, policinë, prokurorinë e të gjithë aktorët që s’e dinin se çfarë ishte ai shpërthim, bëri që ngjarja të humbiste nëpër njerëz të plagosur të bombës.

Por mes tyre u veçua Lulzim Kulla, një emër më shumë i përfolur se sa i skeduar. Autoritetet hetuese dhe kërkuese arritën shpejt në konkluzionin se objektivi për t’u eliminuar ishte pikërisht Kulla, një biznesmen që rezultoi të ishte edhe dhëndër Licësh.

Dhjetëra njerëz përfunduan në spital, u mblodhën kamera e dëshmi, por Kulla nuk foli. Me sa duket, për të kthyer atë sulm me bombë në një kasaphanë kriminale në Shkodër, me atentate e viktima, me prita e “të prerë në besë”, në të zhdukur e të prangosur. Për ta ndarë njëherë e mirë qytetin në dy grupe rivalësh gjakësorë, ku në një anë u rreshtuan Bajrajt dhe në anën tjetër Licët, pikërisht miqtë e Lulzim Kullës.

Prej 7 vjetësh Shkodra lëngon nën krimin e organizatave kriminale, që ditën e djeshme ‘dorëzoi’ një prej personave më të njohur të botës së krimit në atë qytet, e jo vetëm: Safet Bajrin! I dyshuar për gjithçka që ndodh në Shkodër, Safet Bajri doli 3 ditë më parë në media live, ku jo vetëm mohoi të ishte i përfshirë në krime, por madje hodhi poshtë edhe faktin që në Shkodër ka të ‘fortë’. Por SPAK-u ishte i ‘bindur’ se Safet Bajri duhej sjellë në pranga e jo vetëm për çka i është ngritur akuza, por edhe për dy ngjarje që tronditen vendin të një viti më parë.

Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arrest për një vrasje të po atij viti të largët, ngjarje që ai ia kishte ‘hedhur’ drejtësisë. Dje RENEA e shoqëroi nga Shkodra drejt Tiranës, njëherë për marrje shenjash dhe ADN-je, më pas për t’i komunikuar masën e sigurisë dhe tri akuza, dy konkrete që kanë të bëjnë me vrasjen e Fatbadh Licit dhe një e tretë që duket se e tejkalon ekzekutimin mafioz të Licit, pasi SPAK e ka cilësuar: “Kryerje të veprave penale në kuadër të grupit kriminal”!

VRASJA E FATBARDH LICIT

Më 10 gusht, sërish në mëngjes, një person i maskuar do të hynte në një nga kafenetë më të njohura në Shkodër dhe do të ekzekutonte Fatbardh Licin. Ishte sërish viti 2018. 53-vjeçari u vra me breshëri dhe trupi i pajetë mbeti në tavolinën ku pinte kafen thuajse çdo ditë, ndërsa vrasja e tij ishte paraprirë nga një ngjarje që shokoi opinionin publik. Më 15 korrik, një çift ishin ekzekutuar brutalisht në makinë, ndërsa elementi që tronditi edhe më rëndë ishte djali 3-vjeç, që kishte mbijetuar pa asnjë gërvishtje.

Trupat e çiftit u gjetën pas rreth 5 orësh nga vrasja, ndërsa fëmija kishte ikur nga sedilja e pasme dhe ishte ulur në prehrin e nënës së vdekur. Policia identifikoi viktimat, i riu ishte Boran Bërçana, ndërsa partnerja e tij ishte Silva Ndoci. U tha se Bërçana kishte qenë punonjës policie dhe ishte përfolur për implikime në grupe kriminale, por asnjë precedentë i regjistruar nëpër skedarët e policisë nuk kishte ekzistuar më herët. Sigurisht, si gjithnjë, policia shoqëroi persona sa për procedurë, prokuroria nisi po hetime për procedurë, por nën zë nëpër Shkodër e jo vetëm flitej se ekzekutimi i ish-policit me gjithë të dashurën e tij ndodhi për hakmarrje ndaj shpërthimit të bombës te tregu.

Ekzekutimi i Fatbardh Licit, doemos do të lidhej me atë krim të rëndë të vrasjes së çifti, ndërsa më pas del në skenë edhe hakmarrja brutale mes Bajrajve dhe Licëve për ta kthyer atë vit në një horror për Shkodrën, ku vrasja e Fatbardhit iu faturua grupit të Bajrajve, ndonëse jo zyrtarisht.

PAS VRASJES SË LICIT

Vetëm 13 ditë pas vrasjes Licit, më 23 gusht zhduken, sot e asaj dite, Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip e dajë. Sërish në skenë dalin Bajrajt, por sërish veç të dyshuar. Trupat e dy burrave nuk u gjetën asnjëherë. Më 1 shtator, do të nxirrej në pritë Arjan Ferracaku, ku u tha se bisedën e fundit në telefon e kishte kryer me Astrit Bilalin, të atin e Astmer Bilalit. Arjani u vra teksa kalëronte, ndërkohë që vetëm një muaj e gjysmë më vonë i vrasin edhe kushëririn që shiste peshk në tregun e Shkodrës.

Ngjarjet duket se pushojnë deri në 30 mars të vitit 2019 kur vriten në derën e shtëpisë Astrit dhe Brahim Bilali, i ati dhe xhaxhai të Astmer Bilalit. Asokohe i dyshuar ishte Ibrahim Lici. Policia e kërkoi ta arrestonte, por më vonë u detyrua të ndërhynte dhe të godiste Bajrjat, sepse nga Belgjika kishin ardhur të dhëna të frikshme për krimet e tyre në Belgjikë, Holandë dhe Spanjë. 12 persona u arrestuan, ndërsa krerët e organizatës kriminale nisen të rrëzonin akuza e vepra penale në Prokurorinë dhe Gjykatën e Shkodrës. Aq shumë u ndërhy për të liruar Bajrajt sa në vitin 2023, SPAK do të trondiste sistemin e drejtësisë kur do të sillte në pranga një prokuror, një drejtues policie, një shef policie dhe një biznesmen strategjik të qeverisë sonë. Të gjithë ishin të implikuar me grupin e Bajrajve ku bënte pjesë edhe Astmer Bilali me të tijtë.

Vrasjet nuk u ndalen në Shkodër, Safet Bajri fitoi lirinë, ndërkohë që Behar Bajri kishte marrë në dorë frenat e grupit kriminal. Kur SPAK goditi njerëzit e policisë dhe të drejtësisë, ku bëhet me dije se ende ka edhe të tjerë që janë pjesë e asaj dosjeje, Behar Bajri u arratis për t’u kapur dhe ekstraduar, ndërkohë që Safet Bajri jetonte i qetë në bastionin e tij në Dobraç deri më 30 tetor, kur masakra me 4 të vrarë do të trazonte mbarë vendin. Bajrajt ishin aty, por i dyshuari kryesor dukej se ishte kujdesur për alibinë dhe nuk gjendej i përfshirë. Por dyshimet ranë mbi ‘çunat’ e tij, që ashtu i emërtoi edhe në daljen publike në media tri ditë më parë. ‘Çunat’ janë ca të rinj, ndaj të cilëve SPAK ka ngritur një akuzë të rëndë, thuajse të njëjtë me akuzat që dje iu komunikuan edhe atij që konsiderohet si ‘truri’ i grupit kriminal Bajri!


Shtuar 22.02.2025 09:20