“Arrestimi” i Himnit Kombëtar

Nga Gurjan Doçi

‘Arrestimi’ i Himnit Kombëtar dhe pse policia nuk po fiton simpatinë e qytetarëve

Mbrëmja e djeshme nuk do kishte qenë ndonjë gjë për t’u shënuar nëse nuk do ishte për Policinë e Vlorës, ku ngriti ‘zgupthi’ disa pronarë lokalesh për t’i çuar në komisariat.

Arsyeja e vetme ishte sa qesharake, po aq edhe e dhimbshme: Në shenjë protestë për moslejimin e muzikës pas orës 22:00, vunë Himnin Kombëtar.

Vetëm për idenë e protestës, pronarët e lokaleve në Lungomare të Vlorës duhet të ishin respektuar dhe nuk duhet të ishin trajtuar ashtu, në atë mënyrë.

Vendimi për të ndaluar muzikën pas orës 22:00 për shkak të COVID-19, në fakt të ngjan si një vendim që mund të jetë marrë nga një mendje si ajo e Blendi Klosit, i cili disa muaj më parë doli e tha në një studio televizive se muzika përhap COVID-19.

Se nuk ka mundësi të jetë ndonjë vendim i marrë nga mendje të ftohta të Komitet të Ekspertëve, të cilët deri tani duket se i kanë bërë një menaxhim të mirë pandemisë.

Nuk mundesh që pas një viti shumë të vështirë ekonomik, si dhe pas një stërmundimi për të siguruar vaksinat e pasi ke vaksinuar 1/3 e popullsisë, merr një vendim për ndalimin e muzikës në lokale, teksa jemi futur në sezonin turistik, e ku mbi të gjitha të gjitha shpresat e rimëkëmbjes ekonomike i ke varur tek turizmi.
Po ashtu, vendimi për ndalimin e muzikës duket shumë i çuditshëm në një kohë që në plazhe gjatë sezonit turistik zhvillohen koncerte gjatë ditës dhe para orës 22:00, në lokale të mbipopulluara e me pushues ngjitur e ngjitur.

Aq më tepër që ne sapo mbyllëm kampionatin europian, ku lokalet dhe sheshi i Tiranës ka qenë i tejmbushur me tifozë për të parë ndeshjet.

Skenat e mbrëmshme, teksa në sytë e shumë pushuesve të ardhur nga e gjitha bota, policia zbarkon me dhjetëra forca policie për të ‘arrestuar’ Himnin Kombëtar, ishin jo të denja për një vend që pretendon për një vit të suksesshëm turistik.

Pse policia nuk po fiton simpatinë e qytetarëve

Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Velipojë, ku mbetën të vrarë 4 persona kryeministri Edi Rama doli nga Vlora e tha se Policia e Shtetit do të ketë ristrukturim të saj. E pak ditë më vonë një gjë e tillë ndodhi, por vetëm ristrukturim nuk mund të quhet.

Ndryshimi i drejtorëve të policisë për shkak të ngjarjeve të rënda, ishte një vendim i pritur nga qytetarët, por marrja e drejtorit të Shkodrës për ta çuar në një qytet tjetër, apo anasjelltas nuk sjell asgjë të re. Sepse një drejtor policie që nuk ka qenë i aftë që të menaxhojë sigurinë publike në qytetin ku ka qenë, nuk ka si të ta bëjë në një qytet tjetër.

Dhe në fakt kjo gjë ka vite që ndodh në Shqipëri. Janë të paktë drejtues të rinj që vijnë në krye të drejtorive të qarqeve, por që aktualët lëvizin nga një qytet në tjetrin e atje ku shkojnë nuk sjellin asgjë të re.

Policia e Shtetit nuk do mundet kurrë që ftojë simpatinë e qytetarëve, nëse nuk ndryshon frymën e drejtimit që ka deri tani. Duhet harruar koncepti se sigurinë publike e bën vetëm policia. Në fakt siguria publike është një ekskluzivitet i qytetarëve, e ndërsa policia është mjeti që shkohet tek qëllimi.

Që të ndryshojë e gjitha kjo, duhet që Policia e Shtetit të injektojë frymën e bashkëpunimit me qytetarët, e kjo nuk vjen duke pasur një Drejtor Policie që sa herë që del në media shfaqet gjithnjë e më i ngrysur.
Në fakt ishte një periudhë, 2013-2016, kur policia po bëhej aleate me qytetarët, dhe u ndërtua një imazh i mirë i bashkëpunimit mes tyre. Por, tanimë është krejt tjetër gjë. Shumica e qytetarëve e shohin policinë si një organizatë ndëshkuese dhe jo si një organizatë ndihmues për qytetarët.

Sidomos ngjarjet e fundit, si ajo e vrasjes së të riut Klodian Rasha, apo artikulim racist i Drejtorit të Policisë së Shtetit e kanë bërë këtë trupë, gjithë e më larg misionit që ka.

Që me ardhjen në krye të Policisë së Shtetit të Ardi Veliut, ky institucion është bërë gjithë e më i mbyllur, jo vetëm për qytetarët por edhe për gazetarët.

Nuk mbahet mend se kur është hera e fundit që Veliu ka dalë në një konferencë për mediat për t’ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Të gjitha këto, e kanë bërë Policinë e Shtetit të mos shihet si aleate nga qytetarët, por shoqëria të bëjë gjithnjë rezistencë ndaj aksioneve të tyre, qoftë edhe kur një aksion është i drejtë.
Ndoshta është momenti për të parë për një drejtues më pozitiv në krye të Policisë së Shtetit.


Shtuar 19.07.2021 11:35