Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar për arrestimin e dy efektivëve, Serxhio Cani dhe Sajmir Muzikanti, të cilët kanë shpërdoruar detyrën duke u marrë me dhunë para të rinjve që pinin cigare hashashi, te Liqeni Artificial.
Në njoftim, policia thotë se, arrestimi i tyre është bërë pas denoncimeve të shtetasve që kanë rënë pre e grabitjes.
Burime bëjnë me dije se për dy efektivët e arrestuar janë dokumentuar 3 raste grabitjeje. Mësohet po ashtu se shumat e parave të cilat ua kërkonin të rinjve varijonin nga 20-50 mijë lekë të rinj.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me specialistët e Drejtorisë Rajonale të AMP-së, ndaluan shtetasit:
– S. M., 39 vjeç, me detyrë punonjës i Policisë Bashkiake dhe S. C., 22 vjeç, me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 1, të dy shtetasit banues në Tiranë.
Këta shtetas dyshohet se duke shpërdoruar detyrën, i kanë marrë me forcë, një shumë parash, shtetasve F. V., dhe F. D., në zonën e liqenit artificial, të cilët kanë depozituar kallëzim në Komisariat.
Pas punës hetimore të kryer është bërë e mundur dhe zbardhja e ngjarjes dhe vënia në pranga e 2 shtetasve të mësipërm./albeu.com