Arrestimi i avokatit Ulian Barjami, Dhoma e Avokatisë: E dënojmë, ngjarje e paprecedentë

Dhoma e Avokatisë ka reaguar pas arrestimit të avokatit Ulian Barjami. Avokati u arrestua këtë të shtunë, pasi ka kërcënuar një prokuror gjatë seancës gjyqësore për klientin e tij Maksim Lika.

Reagimi i Plotë:

Kemi të bëjmë me arrestimin e avokatit për shkak të deklarimeve të tij në kuadrin e mbrojtjes në sallën e gjyqit, duke u trajtuar deklarata e tij — se do të bëjë kallëzim për falsifikim provash kundër prokurorit — si kanosje dhe kundërshtim i prokurorit.

Ngjarje kjo e paprecedentë, ku një avokati i hiqet liria për shkak të fjalës së lirë në sallën e gjykimit, ku ai shpreh mendimin për falsitetin e provës dhe përgjegjësinë që, sipas avokatit, duhet të mbajë autori i falsifikimit, që në këtë rast është prokurori.

Dhoma e Avokatisë u bën thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillitt ë Lartë të Prokurorisë si dhe Prokurorisë së Përgjithshme të veprojnë urgjentisht për këtë rast flagrant arbitrariteti dhe shkeljeje të hapur të ligjit. Kjo, pasi Dhoma, duke u bazuar në kuadrin ligjor dhe Kushtetutën e Shqipërisë, ende beson se jemi Republika e Shqipërisë – një shtet me drejtësi të bazuar në prova dhe fakte – dhe jo në një “Republikë të Prokurorëve”.

Kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë

Prof. Dr. Maksim Haxhia

Rrethanat e Faktit:

Dje, më datë 17.10.2025, është zhvilluar seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Maksim Suçi etj., seancë e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, nga gjyqtarja Megi Strakosha, ku akuza përfaqësohej nga prokurori Gjergji Ceka.

Avokati mbrojtës i shtetasit Maksim Suçi, avokat Ulian Barjami, pasi konstatoi provën me video të parashtruar në seancë, ku klienti i tij nuk shfaqej aspak duke kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, deklaroi se do të bëjë kallëzim për falsifikim provash ndaj prokurorit, pasi procesverbali me shkrim i sjellë nga prokurori në gjykim përshkruante një situatë ku klienti i avokatit Barjami kishte ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë.

Prokurori Ceka, i irrituar nga ky deklarim, replikoi me avokatin Barjami duke i thënë: “Ti duhet të arrestohesh, do të arrestohesh!”, dhe ndërkohë, i nervozuar, kthente kokën nga punonjësit e policisë prezentë në sallën e gjyqit.

Avokati Barjami replikoi duke deklaruar: “Do të bëj kallëzim, se ke shkelur ligjin.”

Për këto deklarime ndërhyri gjyqtarja Strakosha, e cila i sqaroi avokatit Barjami se duhet të shmangte këtë diskutim dhe të fokusohej në interpretimin e provës në atë moment, pa u marrë me atë se çfarë do të bënte në vijim.

Seanca vijoi e qetë dhe përfundoi normalisht, pa asnjë debat apo diskutim mes palëve.

Prokurori Ceka nuk e la me kaq dhe, me sa duket, ka paraqitur kallëzim ndaj avokatit, me qëllimin në vetvete për ta arrestuar, ashtu siç deklaroi në seancë.

Mbi bazën e këtij kallëzimi, avokati Barjami është thirrur sot, më datë 18.10.2025, në orët e paradites nga oficerë të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, duke i thënë në telefon fillimisht se duhej të jepte vetëm disa sqarime.

Pas shumë orësh i mbajtur në komisariat, në orët e pasdites, rreth 15:00 – 15:30, punonjësja e policisë Zmeralda Mehilli ndalon me iniciativë avokatin Barjami si të dyshuar për veprat penale:

• “Kanosja për shkak të detyrës”,

• “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, dhe

• “Kanosja e gjyqtarit”,

pasi, sipas saj, ka kërcënuar prokurorin e çështjes, Gjergji Ceka, dhe oficerët e policisë gjyqësore që kanë kryer veprime hetimore. Procesverbali është shkruar dhe nënshkruar nga OPGj-ja Mehilli, sikur është kryer shumë kohë më pas, në orën 17:40, ndërkohë që ndalimi realisht është kryer në orën 15:00.


Shtuar 18.10.2025 22:17