Ditën e sotme, një nga pyetjet në Parlament nga deputetët e opozitës, ishte ajo që lidhej me incidentin e ndodhur ditë më parë në Gjykatën e Elbasanit, ku u prokurori i një prej dosjeve kërkoi arrestimin e avokatit Ulian Barjami për kanosje dhe kërcënim në seancë.
Mbrojtësi ligjor u lirua nga paraburgimi gjatë masës së sigurisë, por ngjarja shkaktoi shumë bujë dhe reagime të forta politike.
Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, u përgjigj se ky ishte një rast për reflektim dhe sa për çështjen po pritej përfundimi i inspektimit nga ILD-ja.
Por ai nënvizoi se u ka kërkuar prokurorëve që të jenë të butë me masat shtrënguese të arrestit me burg.
Sipas tij, masa e izolimit duhet të jetë e fundit që aplikohet, në varësi të veprave penale.
“Rasti ne fjalë mund të jetë reflektim. I kemi kërkuar prokurorëve që masa e arrestit të jetë masa e fundit që kërkohet dhe vlerësimi duhet të jetë shumë i kujdesshëm. Veprat penal i nënshtrohen një kallëzimi, por ne jemi përpjekur që të kemi një ulje të masave ekstreme. Rasti në fjalë nuk duhet të ndodhte. Por masa e arrestit në burg është ekstreme dhe e pajustifikueshme”, tha Çela.
Pyetjes nëse ka ngjarje të tjera të ngjashme ai tha se nuk kishte, por vuri theksin te masat e buta të sigurisë dhe për arrestimin e avokatit dhe incidentin me prokurorin po priste rezultatet e ILD.
“Nuk ka rast tjetër të ngjashëm, në dijeninë time nuk ka pasur. Por kam dijeni se ka një hetim edhe nga ILD për këtë rast, ku do dalin konkluzionet përkatëse”, përfundoi kryeprokurori.
