Arrestimi i 27-vjeçarit pas sherrit në Bashki, banorët mblidhen jashtë komisariatit të Pogradecit në shenjë proteste: Mbrojti interesin publik

Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur këtë të hënë në ambientet e Bashkisë së Pogradecit, ku gjatë një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak me prezencë të qytetarëve, një 27-vjeçar ka sulmuar fizikisht një prej anëtarëve të këshillit.

Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Kevi Muçllari, 27 vjeç, banues në Pogradec, i dyshuar për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Shumë banorë janë mbledhur jashtë komisariatit të Pogradec, ku kërkuan lirimin e Kevi Muçllarit, pasi sipas tyre, ai mbrojti interesin publik ndërsa këshilltari Engjëll Shyti provokoi situatën dhe goditi i pari banorin.

“Arrestimi i bërë për shtetasin Kevi Muçllari nuk është në mbështetje të ligjit, së pari për faktin se nuk ishte që kemi të bëjmë me goditje; ka pasur shtyrje të përbashkët. Nuk është provokuar nga ana e Kevit mosmarrëveshja apo konflikti, për aq sa mund ta quajmë konflikt, dhe nuk jemi në kushtet e një goditjeje klasike për shkak të detyrës.

Elementi i dytë ka të bëjë me faktin se mosmarrëveshja nuk lindi për faktin se për kë votoi një këshilltar apo për kë votoi një këshilltar tjetër, pavarësisht kundërshtisë që kishte Kevi dhe gjithë banorët e tjerë. Mosmarrëveshja lindi në momentin që Kevi ishte duke u larguar dhe pati një reagim nga persona të tjerë, pra lindi pasi kishte përfunduar votimi.

Në këtë këndvështrim unë nuk e shoh që ishte për shkak të detyrës. Është një shtyrje e përbashkët që lindi në situatë, për shkak se u kapën me fjalë. Mendoj se nuk jemi në kushtet e shtyrjes për shkak të detyrës dhe nuk është Kevi Muçllari që e provokoi këtë situatë. Normalisht, të gjitha palët e përfshira duhet të shoqërohen dhe duhet t’u merren deklarimet përkatëse.

Nuk e di këtë fakt. Do ndjekim procedurën duke i kërkuar prokurorisë që ta konsiderojë të paligjshëm këtë arrestim, dhe nëse nuk e cilëson si të paligjshëm, do i kërkojmë më pas gjykatës që ta vlerësojë dhe që të mos caktohet asnjë masë sigurimi ndaj tij”, u shpreh avokati i Muçllarit, Endri Çela.


Shtuar 10.11.2025 22:29