Arratisja e Altin Ndocit/ Shemsi Prençi: Ja qyteti ku mund të jetë fshehur, ka degradim të sistemit të burgjeve, e kanë shkatërruar

Këtë të mërkurë, gjatë një interviste në “News 24”, ish-kryepolici Shemsi Prençi, foli për arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit.

Ai theksoi se ku mund të jetë duke u fshehur i paraburgosuri që Policia nuk ka ende asnjë detaj apo informacion, pas më shumë se 24 orë nga ngjarja e rëndë.

Prençi dha disa informacione se ku mund të jetë strehuar dhe marrë në mbrojtje i akuzuari nga SPAK, për të paktën 4 vrasje dhe si pjesë e një grupi killerash.

I pyetur nëse Ndoci mund të ishte fshehur në Tiranë, ku ka edhe vendbanimin prej vitesh, ai u përgjigj me një kundërpyetje dhe një koment:

“Pse duhet të fshihet në Tiranë? Mund të fshihet në Durrës, mund të fshihet në Elbasan. Ai mund të shkojë atje ku ndodhet me i mbrojtur, ku ka krahët më të ngrohtë. Dhe nga ajo që kemi parë dimë se ai ishte i lidhur me një nga grupet në Elbasan. Në Elbasan e dimë se ka grupe të krimit të organizuar të fuqishëm që veprojnë. Madje personi i arratisur i përket një grupi që është armik i betuar me Nuredin Dumanin, me Talo Çelën”.

Por ajo që e shqetëson më shumë ish-kandidatin për deputet dhe ish-kreun e Emergjencave Civile, është mungesa e sigurisë në burgje, degradimi i sistemit dhe cedimi i tij deri në kupolë, ku vendosen dhe emërohen njerëz jo profesionistë, por që merren nga rruga.

“Kemi cedim të sistemit vertikal dhe këtë e tregon hetimi dhe shkarkimi i të gjithë zinxhirit komandues. Nuk është lajthitje e një polici apo pakujdesi, ndaj edhe jam i mërzitur. Këta e kanë shkatërruar sistemin e burgjeve, e kam theksuar dhe më parë. Pra kemi ose degradim të sistemit, ose blerje e sistemit. Dhe sistemi e dimë që blihet, me shuma të mëdha parash, joshet me shumë lekë”, tha ai.

Prençi dha edhe zgjidhjen për reformimin e sistemit të burgjeve dhe më kryesorja ishte përzgjedhja e profesionistëve:

“Mos të marrin njeri nga rruga dhe për ta rekrutuar drejtor burgu”.


Shtuar 14.01.2026 15:49