Gjykata e Durrësit, ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë për ish-drejtorin e IEVP-së, Indrit Cerloj, i dyshuar për shpërdorim detyre në lidhje me arratisjen e Altin Ndocaj.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Xhevdet Lika, i cili ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.
Të lidhura
None found
Ish-drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, u arrestua më 16 janar të këtij viti pas arratisjes së të burgosurit Altin Ndoci, mesditën e 13 janarit nga spitali i këtij qyteti, ku kishte shkuar për të kryer disa vizita mjekësore.
NGJARJA
Ngjarja ndodhi mesditën e 13 janarit kur Altin Ndoci, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, përfshi vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, u arratis ndërsa shoqërohej për një vizitë mjekësore në spitalin e Durrësit. Ai ka kërkuar të shkojë në tualet, ku ka shfrytëzuar rastin për t’u arratisur. Mësohet se Ndoci ka goditur edhe dy efektivët dhe më pas ka zbritur me vrap nga kati i tretë i spitalit. Panorama publikoi edhe momentin kur ai largohet me vrap drejt një automjeti tip “Audi” që e priste në parkimin e spitalit.
PAMJET FILMIKE
Pamjet filmike tregonin qartë se Ndoci zbriti nga ambulanca i lirë, pa pranga, dhe më pas shoqërohet drejt godinës së spitalit nga efektivët. Fakti që ai ndodhej pa masa sigurie fizike bie në kundërshti me rregulloren, pasi për shkak të rrezikshmërisë së tij, Ndoci duhej të ishte i prangosur gjatë gjithë kohës së shoqërimit. Pamjet treguan gjithashtu momentin kur Ndoci largohet me vrap nga ambientet e Spitalit të Durrësit, duke iu shmangur rojeve të sigurisë. Ai shihet duke vrapuar mes automjeteve në parkimin e spitalit dhe më pas zhduket pas një ndërtese, ku e priste “Audi”, me të cilin u arratis.
KUSH ËSHTË ALTIN NDOCI
Altin Ndoci u bë i njohur për publikun pas rrëfimit Nuredin Dumanit, bashkëpunëtorit të drejtësisë, i cili zbuloi lidhjet e tij në vrasjen e dy vëllezërve, Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës dhe ekzekutimin e dy personave të tjerë më 2 mars 2020, Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia. Sipas policisë, Altin Ndoci ka lidhje të ngushta me grupet kriminale të zonës së Pukës dhe është shoqërisht i lidhur me persona të tjerë të njohur për krime të rënda, si Arben Muço, i arrestuar në tentativë grabitjeje me armë në Fier më 2018.
Ai dyshohet gjithashtu të ketë marrë pjesë në ngjarje ku mbeti i vrarë Xhuljan Sollaku dhe u plagos Arben Muço, ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit shpëtuan. Gjatë hetimeve, policia ka sekuestruar prova që lidhen me rrjetin e tij kriminal, duke përfshirë makina të braktisura, gjurmë gishtash dhe njolla gjaku, të cilat lidhën Altin Ndocin me disa nga ngjarjet e dhunshme në qytetet e Durrësit dhe Tiranës.
