Armiqtë brenda NATO-s

Nga Jan Kallberg “Center for European Policy Analysis”

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Gjatë Luftës së Ftohtë, kërcënimi i brendshëm për aleancën transatlantike ishte ose infiltrimi nëpërmjet spiunëve nga Pakti i Varshavës ose ndonjë formë vjedhjeje. Fokusi qendror ishte kundërzbulimi, dhe armiku kryesor ishte spiunazhi sovjetik.

Sot, në vitin 2023, kërcënimi i brendshëm nuk janë vetëm spiunët dhe sabotazhi, por çdo lloj mospërputhje me misionin, e cila e minon misionin dhe aftësinë e tij për të përfunduar me sukses detyrat që ka. Mjerisht, kjo mund të nënkuptojë se problem janë elementët e disa shteteve anëtare, përfshirë qeveritë e tyre.

Dhe sigurisht që ky është një problem i lindur nga suksesi. Ndërsa aleanca po zgjerohet, anëtarësimi i Finlandës më 4 prill, duke u bërë shteti anëtar nr.31, ishte një moment i mrekullueshëm, që përfaqëson zgjedhjen e lirë të një demokracie përfaqësuese për të kërkuar sigurinë e ofruar nga një aleancë ushtarake.

Siç e bën të qartë edhe pretendenti për të qenë anëtari i 32-të, jo çdo aplikant është si Finlanda. Edhe Suedia është një demokraci që renditet në krye të thuajse çdo renditjeje globale, nga pasuria tek liria dhe kënaqësia personale.

Ajo është siç tha dikur Shekspiri për Anglinë, zilia e vendeve më pak të lumtura. Hyrja e saj në aleancë po bllokohet nga dy anëtarë të NATO-s – Turqia dhe Hungaria – të drejtuar nga sundimtarë jo liberalë, të cilët po e përdorin të drejtën e tyre të vetos për të ndëshkuar një aleat të mundshëm në të ardhmen për gabimet e së kaluarës.

Suedia nuk është më një shembull më i mirë i virtytit sesa çdo vend tjetër, dhe nuk ka dyshim se mund të jetë shumë irrituese në lidhje me disa nga pozicionet e saj mbi disa çështje. Megjithatë në këtë proces, duket se ka më shumë se sa një aluzion keqdashës.

Çështja e anëtarësimit të Suedisë në NATO, është një rast studimor i problemeve serioze të një aleance ushtarake e cila mbështetet tek konsensusi për funksionimin e saj. Është e pashmangshme që në një organizatë kaq të madh të ketë një larmi kulturore të madhe, perceptime apo pikëpamje politike të ndryshme.

Disa vende të NATO-s kanë parti relativisht të mëdha të ekstremit të majtë dhe të djathtë, që kërkojnë gjithçka, nga refuzimi i ekonomisë së tregut deri tek një kusht iluziv i homogjenitetit etnik, që vepron i pavarur nga çdo ndikim apo fluks i huaj.

Në shumicën e rasteve, si e majta po ashtu edhe e djathta ekstreme e kundërshtojnë NATO-n. Kur kanë kaluar mbi 30 vjet pas rënies së komunizmit, shumë qytetarë në shtetet dikur pjesë e bllokut lindor kanë një pikëpamje romantike se çfarë është socializmi totalitar dhe si ishte të jetoje në ato kushte.

Ato e kuptojnë se vlera të tilla, përfshirë një armiqësi absolute ndaj demokracisë liberale, janë ndër tiparet përcaktuese të Federatës Ruse. Dhe e admirojnë këtë gjë. Këto ndjenja anti-NATO zhvendosen më pas në institucionet ushtarake të atyre vendeve, qoftë edhe në një shkallë të vogël, pasi forcat e armatosura pasqyrojnë popullsinë nga e cila vijnë.

Për më tepër, këto përçarje shoqërore paraqesin një mundësi të artë për shtetet kundërshtare që të minojnë shtyllën më të rëndësishme të demokracive të NATO-s: besimin në tërësi dhe besimin e popullatës në udhëheqjen e tyre politike. Ne e dimë këtë sepse mund ta shohim shumë qartë.

Rrjetet mashtruese ruse në internet kanë mbështetur vitet e fundit grupimet e ekstremit të djathtë për të nxitur sa më shumë përçarje në shoqëritë e synuara, përmes provomimit të materialeve propagandistike të krijuara enkas për të nxitur ndjenjat anti-emigracion, anti-qeveritare dhe anti-NATO.

Rusët e dinë se kanë simpatizantë brenda Bashkimit Evropian por edhe në vendet anëtare të NATO-s. Agjentët e Kremlinit e paraqesin veten si një alternativë ndaj kolonializmit, kapitalizmit dhe ndikimit amerikan. Kjo narrativë mund të duket shumë e rreme, por është e paketuar si një shpjegim i besueshëm për ata që tashmë priren drejt një drejtimi autoritar.

Dallimi midis kësaj politike të fshehtë anti-NATO dhe asaj zyrtare, u shfaq shumë qartë kur nisi lufta në shkallë të gjerë e Rusisë në Ukrainë. Disa vende janë përballur me një mospërputhje midis mbështetjes popullore vendase, apo mungesës së saj, me dërgimin e armëve në Ukrainë dhe qëndrimin zyrtar të qeverisë së tyre.

Mbështetja publike për angazhimet e NATO-s mund të dobësohet, shpeshherë bazuar në një kontekst socio-historik më të gjerë. Një koment mbi mbështetjen për Rusinë në Sllovaki nga Instituti polak për Evropën Qendrore sugjeronte: “Një shpjegim intuitiv mund të jetë se ky është një brez, që nuk e ka më përvojën e komunizmit apo pushtimin e Çekosllovakisë nga trupat sovjetike.

Tek e fundit, ushtari i fundit i Ushtrisë së Kuqe u largua nga vendi në vitin 1991. Edhe ky është një brez që ka lindur në një vend të lirë dhe nuk e lidh Rusinë me rrezikun”. (Që atëherë ka pasur shenja po në sondazhe se janë rritur ndjenjat pro-ukrainase).

A janë rusët vërtetë të këqij apo thjesht të keqkuptuar? Fushatat ruse të dezinformimit e paraqesin Rusinë si mbrojtësen e vlerave të përjetshme evropiane, përfshirë vlerat familjare. Por ato sugjerojnë se Perëndimi e portretizon Moskën në mënyrë cinike si një diktaturë gjenocidale për të keqpërdorur pastërtinë e saj thelbësore.

Për votuesit e pakënaqur në Perëndim, ky mund të jetë një mesazh tërheqës, pasi i bën jehonë zemërimit që ata kanë me qeveritë e tyre dhe me SHBA-në, të cilat ata i fajësojnë për problemet e tyre.

Do të ishte shumë naive të hidhet poshtë apo të reduktohet kërcënimi i brendshëm i rëndësishëm brenda NATO-s që vjen nga ana e votuesve që janë larguar intelektualisht nga ekonomia e tregut të lirë si dhe normat e hapura liberale demokratike.

Ky segment i popullsisë, kërkon një alternativë për të sunduar ndaj të ashtuquajturave elita ekonomike, madje edhe kur qeveritë e tyre nuk e bëjnë këtë. Rusia synon që t’i joshë ata përmes luftës së informacionit por edhe dezinformimit.

Që Rusia është në vetvete shteti më i korruptuar, i drejtuar nga elitat hajdute dhe të paligjshme, kjo nuk ka rëndësi, sepse kjo e vërtetë maskohet nga iluzioni, konfuzioni dhe zhgënjimi. NATO duhet të mendojë për këtë dhe mirë madje.

Herën e fundit që analizova punën e vazhdueshme në NATO Science & Technology, vura re se as edhe një grup kërkimor bashkëpunues nga qindra nuk i adresoi kërcënimet e brendshme. Kjo çështje është e pakëndshme dhe e ndjeshme politikisht, por kjo nuk e zhbën faktin që NATO ka një problem nga kërcënimi i brendshëm, i cili kërkon vëmendjen e duhur.

Shënim:Jan Kallberg, asistent/profesor në Departamentin e Shkencave Matematikore në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

/albeu.com


Shtuar 13.04.2023 10:08

Tags: ,