“Ferma VIP” nis këtë të premte me sezonin e tretë, por duket se vëmendja nuk do të jetë vetëm te konkurrentët. Këtë herë, sytë janë edhe te karriget e opinionistëve.
Einxhel Shkira dhe Armina Mevlani, bashkë me Ermal Mamaqin, do të ulen krah njëri-tjetrit si opinionistë. Me gjasë Mamaqi mund të ketë një raport më të qetë dhe të konsoliduar me të dyja koleget e reja, por dinamika mes Einxhelit dhe Arminës mbetet ajo që ngjall më shumë kuriozitet.
Gjithçka nisi në vitin 2022, gjatë kohës kur Einxhel ishte ende brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Albania 1”. Nga studio e “Goca dhe gra”, Armina u shpreh hapur kundër lojës së saj, duke mbështetur Ilir Shaqirin si fitues.
“Këtë Einxhel po e heq se nuk më pëlqen fare,” tha Armina duke shtuar: “Për mua e fiton Iliri për artistin që është dhe kontributin e tij. Ai është shumë i suksesshëm, ia ka nisur nga zero dhe ka arritur të bëjë emër në një vend të huaj”.
Pas daljes nga shtëpia, Einxhel u ftua në “Goca dhe gra”, në një moment kur Armina mungonte në panel. Në intervistë, Einxhel nuk e la pa një koment situatën, duke ironizuar mungesën e saj:
“Zgjedhja më e mirë do ishte që ajo mos të ishte këtu kur unë të isha e ftuar, besoj që nuk donte të më shihte me sy!”
Më vonë, Armina reagoi publikisht në “Goca dhe gra”, duke sqaruar se mes tyre nuk kishte pasur ndonjë konflikt personal dhe se qëndrimi i saj kishte qenë thjesht një opinion për lojën në reality show, jo për Einxhelin si person. Ajo theksoi se situata ishte keqinterpretuar.
“U bë shumë e madhe. Kam thënë se nuk më ka pëlqyer te ‘Big Brother’. Jo gjithë njerëzit mund t’i pëlqesh maksimalisht. Është keqinterpretuar. Unë me Einxhel kam punuar, e njoh në kushte të tjera dhe në momentin që kam punuar nuk kisha miqësi të afërt. Publikisht e kam dëgjuar nga Einxhel që nuk ka folur mirë për mua, pa arsye. Unë nuk kam thënë ‘s’dua ta shoh me sy’, Ajo ashtu e mori. U bë shumë e madhe. Nuk kam asgjë, nuk kam diçka konkrete.”
Mbetet për t’u parë si do të zhvillohet dinamika mes tyre në panel dhe nëse e kaluara do të mbetet thjesht një kapitull i mbyllur, apo do të reflektohet në mënyrën si do të komentohen zhvillimet e këtij sezoni të ri të “Ferma VIP”.
