Ndryshimet e bëra në qeverinë “Rama” po diskutohet këtë të enjte në emisionin “Opinion”.
Gjatë analizës së këtyre ndryshimeve, analisti Armand Shkullaku është shprehur se tashmë kreu i qeverisë Edi Rama ka krijuar një qeveri nga “halli”.
Po ashtu, Shkullaku tha se shkarkimi i Elisa Spiropalit nga posti i ministres së Jashtme, ka qenë porosi e Belinda Ballukut, për shkak të rivalitetin që kanë pasur me njëra-tjetrën.
Armand Shkullaku: Kjo është një qeveri nga halli, këta janë bishtat e Belindës. Kjo tregon që, Mamica u dogj. Lavdet për liderin nuk të bëjnë punë, të bën punë pushteti që ke me grupet kriminale, me paratë që qarkullon dhe me votat që mbledh. Mamica iku dhe në të gjitha duhet ta pranojmë që ka ikur sepse e ka vënë kusht Bela.
Blendi Fevziu: Si e ka vënë Bela, që të ikë Spiropali?!
Armand Shkullaku: Patjetër! Të gjithë e dimë që, ka pasur një rivalitet mes Belindës dhe Elisa Spiropalit, sepse ajo është e bindur që ka folur kundër Belës etj.
Blendi Fevziu: Unë e di që ka qenë mes Belindës dhe Erion Veliajt, paska pasur shumë rivalitete.
Armand Shkullaku: Njëri ka qenë shef kabineti i Belindës, tjetri ka qenë i caktuar po i caktuar nga Belinda. Iu them bishta, sepse për mua në mandatin e katërt të një force politike, që është forcë tradicionale në Shqipëri, të mos kesh një përfaqësues politik, pra dikush tjetër mbledh votat dhe dikush tjetër ha kumbullat, pra këtu hiq Belindën, Elisa dhe Toni Gogu, pjesa tjetër për mua nuk përfaqësojnë PS.
Këtë të enjte, kryeministri Edi Rama nga ora 11:00 zhvilloi një mbledhje të përbashkët të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit në Pallatin e Brigadave.
Pas mbledhjes që zgjati për disa orë, kryeministri Edi Rama ka bërë ndryshime në kabinetin qeveritar. Albana Koçiu është emëruar zv.kryeministre në vend të Belinda Ballukut. Vendin e saj si ministër i Punëve të Brendshme e ka marrë Besfort Lamallari, i cili deri sot mbante postin e ministrit të Drejtësisë. Postin e lënë bosh nga Lamallari e merr Toni Gogu.
Ky i fundit zëvendësohet në detyrën e mëparshme nga Eriona Ismaili, e cila është caktuar si ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin. Ndërkohë është larguar nga kabineti qeveritar Elisa Spiropali e cila mbante postin e Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ajo zëvendësohet nga Ferit Hoxha, ish-ambasador i Shqipërisë në BE.
Nga kabineti përveç Ballukut dhe Spiropalit është larguar edhe Pirro Vengu. Postin si ministër i Mbrojtjes e ka marrë Ermal Nufi, e cili ka qenë zv.sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri. Sakaq, postin tjetër të Ballukut, si ministër për Infrastrukturën dhe Energjinë e merr Enea Karakaçi, i cili ka qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në OSHEE.
