Arma gati për qitje, arrestohet 36-vjeçari në Kamëz, 13 vite më parë vrau këngëtarin për një vajzë

Policia ka arrestuar 36-vjeçarin Erind Mrruku në Kamëz, i dënuar më parë për vrasje, pasi është kapur me armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje.

36-vjeçari, banues në Kamëz, po lëvizte i armatosur në rrugën “Nënë Tereza”, në Kamëz.

Në kuadër të operacionit “Cancelled”, policia kreu kontroll ndaj Erind Mrrukut të cilit i gjeti një armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje, krehër dhe municion luftarak.

Pas kontrollit në banesën e tij, forcat blu i gjetën një këllëf për mbajtjen e pistoletës, një palë dylbi, tre mjete prerëse, tre aparate celulare dhe një peshore për metale të çmuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me armën e zjarrit dhe municionin luftarak.

Erind Mrruku, rezulton i dënuar më parë për vrasje, pasi ka vrarë në korrik 2010 Fabian Nikaj. 24 vjeçari ishte djalë i një biznesmeni nga Lezha dhe i kishte hyrë botës së muzikës si reper.  I riu njihej nga policia për precedentë penalë.

Në atë kohë, Mrruku 23 vjeç u vetëdorëzua në polici disa orë pasi kishte kryer krimin në plazhin e Shëngjinit, pas një konflikti të çastit. Viktima Nika në atë kohë ishte i dashuri i një këngëtareje të njohur.

Burime nga policia thonë se Erind Mrruku dyshohet si anëtarë i një grupi kriminal që vepron në Tiranë. Pasi u mor në pyetje, ai nuk ka pranuar të japë deklarime. Për shkak se arma ishte me fishek gati për qitje, policia dyshon se mund ta përdorte në ndonjë ngjarje.


Shtuar 12.09.2023 10:56