Një anëtar i një bande mafioze italiane është arrestuar në Republikën Dominikane, pasi e njohën nga tatuazhet, teksa ai shfaqej në një video në YouTube.
Sipas mediave të huaja, Marc Feren Claude Biart ishte në arrati nga autoritetet italiane që nga viti 2014 dhe kishte jetuar në Boca Chica në ishullin e Karaibeve, tha policia.
Prokurorët kishin kërkuar Biart me akuzën e trafikimit të kokainës në Holandë për një klan të bandës mafioze, ‘Ndrangheta’.
Dhe sipas policisë, i dyshuari kishte paraqitur në video në YouTube ku shpjegonte recetat italiane të gatimit, ndërsa mbante të fshehur fytyrën.
Sidoqoftë, tatuazhet e tij mund të shiheshin në video, të cilat bënë të mundur që ai të njihej. Pas kësaj, i arratisuri 53-vjeçar u kap në Santo Domingo dhe u transferua në aeroportin Malpensa të Milanos, tha policia në një deklaratë.
“Ndrangheta” konsiderohet mafia më e fuqishme në Itali dhe është e vendosur në rajonin jugor të Kalabrisë. Grupi është i njohur për kontrollin e tij mbi trafikun e kokainës në Evropë.