Apeli lë në burg anëtarët e grupit Rraja, mes tyre djali i ish-deputetit socialist (EMRAT)

Këtë të shtunë, Gjykata e Apelit, ka vendosur sot në 24 janar të lërë në fuqi masat e sigurisë për anëtarët e grupit “Rraja” të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike dhe organizim të një grupi të strukturuar kriminal.

Mes të akuzuarve, është edhe djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rexhep Rraja.

Shtetasit për të cilët u konfirmua masa e sigurisë janë:

-Islam Sefa

-Rexhep Rraja

Perparim Rraja

-Gazmir Rraja

-Aldo Gjini

-Zamir Aliaj

-Jani Cavo

-Marvin Bushati

Ndërkohë, Sokol Qaja dhe Agim Nina, persona të arrestuar nuk kanë bërë ankim.

Sipas organit të akuzës, anëtarët e grupit Rraja, dyshohen se kanë kryer veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike në bashkëpunim” dhe “Organizim i grupit të strukturuar kriminal”.

Si funksiononte grupi dhe Çfarë zbuluan hetimet

Nga hetimet ka rezultuar dyshime të arsyeshme, të mbështetura në prova, se personat e dyshuar janë përfshirë në aktivitet të paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion final Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë, si dhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt Bashkimit Europian. Gjatë veprimtarisë së tyre, të dyshuarit kanë komunikuar gjithashtu mes tyre përmes aplikacionit të enkriptuar “SkyECC”. Këto komunikime janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike.

Nga këqyrja dhe analizimi i të dhënave të administruara është bërë e mundur identifikimi i 14 (katërmbëdhjetë) shtetasve shqiptarë nën hetim: Rexhep Rraja, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Aldo Gjini alias Aldo Iamandi, Jani Çavo, Islam Sefa alias Islam Xaka, Agim Nina alias Lorenc Selmani, Zamir Aliaj alias Zamir Çoku, Sokol Qaja, Marvin Bushati alias Marvin Kopliku, Bujar Sefa, Hajdar Sefa, Vildan Baroku dhe Ervis Shuli, të dyshuar për përfshirje në aktivitet të paligjshëm kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri më tani, si dhe nga ekzekutimi i letërporosive nga autoritetet malazeze, holandeze dhe turke, janë zbardhur rrethana të rëndësishme të kryerjes së veprave penale, duke u evidentuar rolet e drejtuesve, financuesve dhe pjesëmarrësve në këtë veprimtari kriminale, sipas episodeve të paraqitura më poshtë.

Episodet e trafikut të drogës

Episodi i parë, i përket datës 3.11.2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Malit të Zi, është sekuestruar sasia prej 1722 kg, bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Gjermaninë.

Episodi i dytë, i përket datës 23.11.2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Mbretërisë së Holandës, është sekuestruar sasia prej 475 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, e dërguar nga Ekuadori në Portin Vlissingen, Holandë.

Episodi i tretë, i përket datës 26.1.2021, gjatë të cilit nga autoritetet të Turqisë, është sekuestruar sasia prej 236 kg bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Turqinë.

Gjithashtu, të hetuarit Marvin Bushati, më datë 10.12.2025, iu sekuestrua, ndër të tjera, një armë zjarri model “Glock”, dhe është arrestuar në flagrancë për veprën penale;“Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në banesë (neni 278/4 i Kodit Penal), gjatë ekzekutimit të masës së sigurimit personal.

Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këto veprimtari të paligjshme kriminale.


Shtuar 24.01.2026 10:50