Apeli i Tiranës heq sekuestron nga pronat e dy biznesmenëve Elman Abule dhe Kristian Boçi, kërkesa e prokurorisë kthehet për rigjykim

Gjykata e Apelit të Tiranës ka hequr sekuestron mbi pronat e dy biznesmenëve Elman Abule, Kristian Boçi dhe bashkëshortes së këtij të fundit, Drilona Boçi, duke prishur vendimin e marrë nga gjykata e Tiranës më herët.

Në një komunikim zyrtar, thuhet se mbi bazën e ankimit që kanë bërë personat nën hetim, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur:

NJOFTIM PËR SHTYP

Mbi interesin e shfaqur nga disa gazetarë, po ju referojmë informacionin zyrtar të dhënë nga ana e gjyqtarit të çështjes, si në vijim:

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, mori në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e sekuestros ndaj shoqërive të personave nën hetim E. A., K. B., D. B., etj., fillimisht është gjykuar nga gjyqtarja L.Ç., e cila në përfundim të gjykimit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vendosjen e sekuestros.

Mbi bazën e ankimit që kanë bërë personat nën hetim, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur:

“Prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim me tjetër trup gjykues…”

Gjithashtu mbi bazën e rekursit të bërë nga të hetuarit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur “Mospranimin e rekursit…”

Më pas kërkesa e prokurorisë për vendosjen e sekuestros e kthyer për rigjykim i është caktuar me short elektronik gjyqtarit Altin Abdiu, i cili në zbatim dhe të orientimeve të vendimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në përfundim të gjykimit në “Dhomë këshillimi” ka vendosur, rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Ky vendim i gjyqtarit nuk është ankimuar nga prokurorja e çështjes dhe vendimi ka marrë formë të prerë më datë 17.10.2025.

Bazuar në nenin 103, pika 2 e Kodit të Procedurës Penale: “Ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve josekrete deri në përfundimin e hetimeve paraprake”. Vendimi ju komunikohet vetëm palëve.


Shtuar 30.12.2025 16:06