Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të enjten më 20 prill 2023 të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë për konfiskimin e disa pasurive të zotëruara nga biznesmeni Ylli Ndroqi, të sekuestruarara në vitet 2020-2021 si të dyshuara se janë produkt i veprimtarive kriminale.
Vendimi i formës së prerë u mor nga trupi gjykues i Gjykatës së Posaçme të Apelit, i kryesuar nga gjyqtari Dhimitër Lara dhe me anëtare gjyqtaret Nertina Kosova e Daniela Shirka.
Në njoftimin e gjykatës sqarohet se pas shqyrtimit të ankimit të paraqitur nga Ndroqi kundër vendimit të shkallës së parë, është vendosur lënia në fuqi e tij.
Mes pasurive të konfiskuara që do t’i kalojnë shtetit janë edhe shoqëria “Ora”, që përfaqëson televizionin “Ora Neës” dhe 30% e kuotave të shoqërisë “Channel One”.
Në listën e gjatë të pasurive të konfiskuara me vendimin të 3 nëntorit 2021 janë pjesët takuese të Ylli Ndroqit në 11 shoqëri tregtare; katër troje; katër njësi shërbimi; katër automjete luksoze; një garazh; një sipërfaqe tokë arë dhe një sipërfaqe pyll. Sipas disponimit të gjyqtares Etleva Deda, të gjitha këto pasuri do t’i kalojnë në pronësi shtetit.
Ndërkohë, shkalla e parë revokoi masën e sekuestrove të vendosura me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK në vitet 2020 dhe 2021 për dy apartamente; dy troje dhe një njësi tregtare, shkruan Reporter.al
Konfiskimi u krye bazuar në ligjin e vitit 2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i njohur ndryshe si ligji “Antimafia”. Sipas SPAK, midis të ardhurave të shtetasit Ylli Ndroqi e familjarëve të tij dhe pasurive që ata kanë krijuar nga viti 1998 deri në vitin 2020, ka një diferencë prej 3 milionë eurosh.
Hetimi pasuror për Ylli Ndroqin u regjistrua më 21 korrik 2020, bazuar mbi precedentë penalë të hershëm që lidhen me një arrestim në Turqi në vitin 1998 për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike. Sipas SPAK, edhe Italia kishte lëshuar një urdhër-arresti për Ndroqin në vitin 2006, por pavarësisht kësaj ai vazhdoi i patrazuar për më shumë se një dekadë aktivitetet e tij të biznesit në Shqipëri.