Apartamente, makina dhe llogari bankare, SPAK kërkon konfiskimin e pasurisë të dy personave nën hetim (EMRAT)

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka dërguar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për konfiskimin e pasurive të sekuestruara ndaj shtetasve Jusel Mici dhe Mendim Domi në kuadër të një hetimi pasuror të nisur gjatë vitit 2024.

Pasuritë, sipas organit të akuzës, rezultojnë të pajustifikuara me burime të ligjshme dhe dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale.

Sipas SPAK, dy shtetasit janë subjekt i hetimit pasuror në bazë të ligjit “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, si dhe po gjykohen për llogari të një procedimi penal të regjistruar në vitin 2021.

Nga hetimet janë evidentuar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si apartamente dhe njësi banimi në Tiranë, njësi shërbimi në zonën e Bulevardit të Ri, vila në Gjirin e Lalzit, toka në zonat Mazrek, Kashar dhe Sauk, garazhe, automjete luksoze, kuota në një shoqëri tregtare si dhe llogari bankare.

Vlera totale e pasurive për të cilat është kërkuar konfiskimi arrin në 1,976,870 euro dhe 9,330,062 lekë.


Shtuar 3.03.2026 13:49