Apartamente dhe toka/ Konfiskohen 9 pasuri të përfituara nga veprimtari kriminale në Lezhë

Policia e Lezhës, ka ekzekutuar një vendim të Apelit të GJKKO-së dhe SPAK-ut, duke konfiskuar 9 pasuri të tjera që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale.

Burime zyrtare njoftuan sot (3 dhjetor) se pasuritë janë 7 sipërfaqe toke dhe 2 apartamente. Ato ndodhen në Shëngjin, Ishull Shëngjin dhe në Ishull Lezhë dhe kanë sipërfaqe totale 33815 m².

“Në vijim të punës hetimore dhe operacionale, për gjurmimin e aseteve kriminale, si dhe në zbatim të vendimit të GjKKO-së, të lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, konfiskuan 9 pasuri të paluajtshme të përfituara nga veprimtari kriminale”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Nuk jepen detaje të hollësishme se kujt i përkasin këto pasuri të paligjshme të konfiskuara me vendim të formës së prerë të Apelit të GJKKO-së.

Policia sqaron gjithashtu se “gjatë 2 muajve të fundit janë sekuestruar në qarkun Lezhë, 29 pasuri me sipërfaqe totale rreth 132 322 m²”.