Kryeministri i vendit Edi Rama, në podkastin e tij “Flasim”, komentoi sërish çështjen e Portit në Porto Romano, për të cilin tenderi 400 mln euro u anulua për shkak se kompania e vetme në garë u tërhoq.
Rama tha se ky port është strategjik, i lidhur me korridorin VIII, ku sipas tij përfshihen edhe portet e thata të Prishtinës dhe Shkupit.
Gjithashtu, ai theksoi se nuk ka asnjë shqetësim as nga aleatët, SHBA dhe BE, përkundrazi, sipas tij, projekti i ndërtuar nga Royal Haskoning është në tryezën e NATO-s dhe pret të hyjë në filtrin politik.
Rama foli për faktorë të nëndheshëm që lidhet me trafiqet dhe faktorë të tjerë politik që nuk e duan këtë port, por theksoi se qeveria ka planin e shpejtë për të filluar ndërtimin.
“Në këtë proces nuk ka patur sikundër hidhen përpjetë ciklat e avujve të tenxhereve mediatike, asnjë shqetësim të shprehur nga aleatët tanë, as nga Shtetet e Bashkuara, as nga Bashkimi Evropian, përkundrazi projekti i hartuar nga kompania më e madhe në botë, me reputacion të padiskutueshëm, Royal Haskoning është në tryezën e NATO-s. Ka kaluar të gjithë filtrat teknik dhe tani pret të hyjë bashkë me grupin e disa projekteve të tjera të mëdha, në filtrin politik pikërisht sepse është një projekt me një vlerë të konsiderueshme gjeopolitike, por natyrisht, e kam thënë dhe e përsëris këtë port të ri jo të gjithë e duan, jo të gjithë e mirëpresin.
Faktorë brenda dhe jashtë, duke filluar nga faktorët e nëndheshëm të atyre që lidhen me trafiqet deri tek faktorë politikë dhe faktorë të tretë jashtë kufijve të Shqipërisë, s’kanë se si ta mirëpresin pasi në rastin më të mire, kjo është një fuqi e re që hyn në konkurrencën tregtare, detare të Mesdheut dhe në rastin më të ndjeshëm, ky është një faktor që merr pjesë nga, le të themi sofra, ku shpërndahet përfitimi i gjithë aktivitetit detar, tregtar në këtë pjesë të botës ku ne jetojmë.
Një port i ri i këtyre përmasave, me këtë ambicie, e çon Shqipërinë në një nivel tjetër në hartën logjistike të rajonit dhe e kthen në një vend që zotëron edhe një nyje strategjike të transportit në mes të Europës, si pikë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit.
Më e qartë se kaq unë nuk e di si mund të jetë. Dhe në fund dua të them që, pavarësisht vështirësive që ka hasur projekti, pavarësisht të dy proceseve të papërfunduara në sekondën e fundit, pavarësisht tërheqjes së kompanisë që ishte shumë pranë lidhjes së kontratës dhe pritej vetëm të paraqiste ofertën financiare, por që u shpreh se në kushtet e krizës dhe të rritjes së çmimeve nuk e shikonte të mundur të jepte një ofertë financiare, ne jemi gati të kalojmë në një plan tjetër të shpejtë dhe agresiv për të garantuar fillimin e ndërtimit të portit për të cilin kemi vënë dispozicion edhe të gjithë buxhetin e nevojshëm”, tha Rama.
