Anna Shkreli: Jam në krah të Belindit sepse i besoj në atë që bën dhe thotë, ja cila pikë e programit më pëlqen më shumë

Të ftuar në emisionin e Rudina Magjistarit, Anna Shkreli dhe Belind Kelliçi kanë folur për raportin e tyre, momentet e bukura e të vështira, dhe interesat që të dy kanë.

Anna Shkreli u shpreh se marrëdhënia me Belindin ka kaluar në provën e durimit, të pritjes, dhe është konsoliduar gjithnjë e më shumë.

Ishte pikërisht distanca për shkak të studimeve të saj në Itali, e më tej, masteri në Angli, një prej momenteve që provoi se sa e fortë dhe rezistente ishte ajo çka të dy kishin për njëri-tjetrin.

Anna dhe Belindi, e pranuan se ajo çfarë i mbante bashkë ishte e fuqishme, dhe ja ku janë sot, në një lidhje 10-vjeçare.

Duke u ndalur në angazhimin e Këlliçit në fushatën zgjedhore, si kandidat për Bashkinë e Tiranës, Anna u shpreh se ajo është shfaqur në krah të tij në këtë garë, për shkak se i beson çdo gjëje që ai e thotë, dhe asaj që bën.

Anna Shkreli u shpreh se një nga pikat që vlerëson më shumë tek programi i Belindit, është ajo për biznesin e vogël, ulja e taksave e tarifave, si një mundësi që këto sipërmarrje të mbijetojnë e të zhvillohen më tej.

Anna ka një shtëpi të vogël botuese, dhe ka pasion trashëgiminë kulturore dhe historikun e qytetit.

Ajo theksoi se nëse çdo gjë ndryshon, e asgjë nuk ruhet, atëherë cënohet përkatësia jonë, ajo çfarë na mban të lidhur me një qytet, e me një vend.

Belind Këlliçi u shpreh se ai ka një program me 5 pika që adresojnë problemet kryesore të qytetit dhe që ofrojnë zgjidhje për zbutjen e kostos së rënduar të jetesës, apo trafikut torturues.

Ai tha se është një njeri normal, një nga djemtë e qytetit, që e do Tiranën dhe dëshiron e është i përkushtuar ta shohë të zhvilluar.


Shtuar 25.04.2023 19:14