Ankimoi zgjedhjet parlamentare të 2021 dhe kërkoi ‘zhbërjen’ e tyre, KZGJ gjobit me 50 mijë lekë Selami Jenisherin

Kolegji Zgjedhor Gjyqësor, në një seancë të zhvilluar sot në ambientet e Gjykatës Administrative të Apelit, ka shqyrtuar kërkesëpadinë e Koalicionit A.B.E.O.K., e përfaqësuar nga Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë dhe kryetari i saj, Selami Jenishehri, kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Padia, e regjistruar me Nr.27 datë 22.07.2025, kishte si objekt kërkesën për detyrimin e KQZ-së të shqyrtonte një ankim të mëparshëm të Koalicionit, të dorëzuar më 30.06.2025, me nr. protokolli 53531. Paditësi bazohej në nenin 145/2 të Kodit Zgjedhor, i cili përcakton detyrimin e KQZ-së për të vendosur mbi ankimet brenda afateve ligjore.

Çështja u shqyrtua nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Rexhep Bekteshi (relator), Entela Shedula, Enkel Peza, Ornela Naqellari dhe Artan Çupi.

‘Në përfundim të shqyrtimit, me vendimin Nr.24, datë 24.07.2025, Kolegji Zgjedhor vendosi unanimisht: Pushimin e gjykimit të çështjes; Gjobitjen e përfaqësuesit Selami Jenishehri me shumën 50.000 lekë, për paraqitje të një ankimi të konsideruar abuziv; Vendimi është i formës së prerë dhe nuk lejohet ankim ndaj tij, përveç pjesës që ka të bëjë me gjobën, ku lejohet ankim i veçantë pranë të njëjtës trupë gjykuese’, thuhet në njoftim.

Edhe më 3 prill, Kolegji Zgjedhor Gjyqësor gjobiti për padi abuzive Partinë Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë, me kryetar ish-ideputet Selami Jenishehrin, në masën 50 mijë lekë. Më 12 mars të këtij viti, Jenishehri ankimoi në Apelin Administrativ zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, duke kërkuar “zhbërjen” e tyre, 4 vite pasi u zhvilluan.


Shtuar 24.07.2025 17:03