Ankimimi i opozitës për Himarën, KQZ e shqyrton më 21 gusht! BF ankimoi rezultatin, pretendoi parregullsi në zgjedhje

Ndonëse opozitës iu deshën shumë pak ditë për të harruar akuzat politike se zgjedhjet në Himarë u vodhën, ankimimi i saj për votimet e 4 gushtit do të shqyrtohet në datën 21 gusht në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ.

Trupa e 5 anëtarëve do të mblidhet për të parë nëse pretendimet e opozitës për parregullsi në zgjedhje qëndrojnë dhe të pranojnë kërkesën e saj për pavlefshmëri në zgjedhje, apo nëse do të lënë në fuqi vendimin që shpalli fitues me 1477 vota diferencë Vangjel Tavon e Partisë Socialiste.

Problematika më kryesore mbi të cilën kërkoi pavlefshmërinë e zgjedhjeve koalicioni “bashkë fitojmë” ishte pamundësia për të votuar e qytetarëve që u kishte skaduar karta e identitetit.

Në ankimim, opozita akuzoi mazhorancën edhe për përdorim të administratës në zgjedhje me “zbarkimin” siç e kanë quajtur ata, të ministrave në ditët e fundit të fushatës apo dhe intimidim ndaj votueseve, bizneseve dhe pronarëve të hotelerisë.

Tavo sipas opozitës u favorizua në garë nga institucionet shtetërore edhe për “Kryefjalën” e fushatë së tij, dhënien e titujve të pronësisë. Pas vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve e më tej, nëse do të dërgohet vendimi i KAS, edhe i Kolegjit Zgjedhor i hap rrugë betimit të Vangjel Tavos e uljes së tij në karrigen e kryebashkiakut të Himarës.


Shtuar 18.08.2024 11:54