Ankimimet për mandatet/ KAS rrëzon kërkesën e Andia Ullirit, Arjan Ndoja shkon në Parlament

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, ka lënë në fuqi vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për shpalljen e kandidatëve fitues në qarkun e Durrësit, duke rrëzuar ankimimin e kandidates së Partisë Demokratike, Andia Ulliri.

Ulliri pretendonte se mandati duhej t’i jepej asaj, mbështetur në kuotën ligjore për përfaqësimin gjinor duke argumentuar se, sipas rregullit që garanton përfshirjen e gjinisë më pak të përfaqësuar, i takonte të zëvendësonte kandidatin e shpallur fitues, Arjan Ndoja.

Vendimi i KAS hyn në fuqi menjëherë, por ndaj tij mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor, pranë Gjykatës Administrative të Apelit, brenda pesë ditëve nga shpallja.

Argumentet përfundimtare të vendimit do t’u dorëzohen palëve ditën e nesërme.

Përfaqësuesi ligjor i Ullirit, Indrit Sefa, deklaroi se Komisioneri Celibashi ka interpretuar gabim dispozitat e Kodit Zgjedhor, duke sjellë në vëmendje nenin 64 të Kushtetutës, që kërkon që një në tre deputetë të jetë nga gjinia më pak e përfaqësuar.

Sipas Sefës, lista e kandidatëve është unike dhe përbëhet nga dy kategori: ata me renditje të fiksuar dhe ata që i nënshtrohen votimit parapëlqyes, ndaj përfaqësimi gjinor duhet të merret parasysh në shpërndarjen përfundimtare të mandateve.


Shtuar 30.07.2025 14:38