Gjykata Kushtetuese, pritet të shpallë sot në orën 17:00 vendimin për ankimin e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra.
Seanca për shqyrtimin e çështjes u zhvillua më 31 tetor, ndërsa sot, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, do të dalë në një konferencë për shtyp për të bërë publike vendimmarrjen.
Veliaj ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të rrëzojë vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij, duke e konsideruar atë në kundërshtim me Kushtetutën.
Njëkohësisht, ai kërkon edhe shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës.
“Ju njoftoj se sot, ora 17:00, Kryetarja e Gjykatës znj. Holta Zaçaj do të ketë një komunikim me gazetarët në lidhje me vendimmarrjen e çështjes me kërkues Erion Veliaj me objekt “Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.
Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si i papajtueshëm me paragrafin 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës.
Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës i njeh ankimit kushtetues të Kryetarit të Bashkisë, ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese”, njofton Gjykata Kushtetuese.
