“Në 5 vendvotime në Dibër, është konstatuar se materialet votuese janë dorëzuar duke e thyer aspektin e besueshmërisë së atyre materialeve, pra, janë dorëzuar pa shiritat e sigurisë, pa “bllomba”. Kjo nuk garanton besueshmëri dhe hap dyshime se në ato materiale është mundur të intervenohet dhe të bëhen keqpërdorime. Në një vendvotim tjetër në Dibër është konstatuar se tre persona kanë votuar, janë në listë se kanë votuar por ata persona në ditën e votimit nuk kanë qenë aspak në Dibër. Është konstatuar se janë jashtë Dibrës, jashtë shtetit. Ky fenomen ka mundur teorikisht të ndodhë edhe në vende të tjera”, deklaroi Halil Snopçe, deputet i Aleancës për Shqiptarët.
Snopçe thotë se ankesat bazohen edhe në ndërhyrje dhe përmirësime në procesverbale dhe nuk janë evidentuar edhe shkaqet e ndërhyrjes. Në dy raste, sipas tyre, votuesit kanë votuar para këshillit dhe jo pas paravanit, që po ashtu paraqet shkelje. Opozita beson se posedon mjaftueshëm fakte.
“Këto raste, pesë ankesa për dhjetë vendvotime janë të argumentuara dhe mendojmë se ka argumente të mjaftueshme që ata të pranohen. Ne kemi pasur edhe shumë vërejtje dhe ankesa të tjera për të cilat nuk mundeshim të gjejmë bazë dhe argumente”, tha Halil Snopçe, deputet i Aleancës për Shqiptarët.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk e ka caktuar akoma seancën në të cilën këto ankesa do të shqyrtohen. Ky institucion ka 72 orë afat për shqyrtim që nga momenti i përfundimit të afatit për ankesa. Në Dibër, në rrethin e dytë fitoi kandidati i BDI-së Hekuran Duka me 138 vota më shumë se kundërkandidati nga opozita Bekim Pocesta. Procedura në këtë komunë zgjati më shumë se në komunat e tjera për shkak se dy javë pas rrethit të parë kishte rivotim në një vendvotim si pasojë e ankesave të opozitës. /Alsat.mk/