Një anije me ngarkesë të dyshuar ekspozivësh ushtarakë, e destinuar për në Izrael, u fotografua nga BIRN në Durrës pasi ishte refuzuar më parë në Nambia dhe Maltë, duke ngritur shqetësime për shkelje të konventave ndërkombëtare nga qeveria shqiptare.
Me radarët e fikur prej 26 orësh në detin Jon, anija e konteinerëve “Kathrin” u ankorua në fshehtësi në portin e karburanteve, “Multi Buoy Mooring” në Porto Romano të Durrësit mëngjesin e së enjtes, pasi ishte refuzuar më parë të hynte në ujërat territorialë të Nambias në Afrikë dhe Maltës në skajin jugor të Europës.
Anija prej 130 metrash e gjatë mbart dhjetë konteinerë në bordin e saj dhe u vëzhgua nga këta reporterë teksa qëndronte e ankoruar në kalatë pranë një vinçi jeshil të stërmadh dhe një anijeje të dytë përkrah saj.
Sipas alarmit të ngritur nga organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, Amnesty International, anija “Kathrin” dyshohet se mbart në bord një ngarkesë vdekjeprurëse eksplozivësh e destinuar për Izraelin dhe kjo lëndë luftarake besohet se mund të kontribuojë në kryerjen e krimeve të luftës kundër civilëve palestinezë.
Amnesty International i tha BIRN përmes një zëdhënësi se Shqipëria rrezikon të shkelë konventat ndërkombëtare, nëse e kishte lejuar anijen në territorin e saj.
“Ligji humanitar ndërkombëtar i ndalon të gjitha shtetet që t’i transferojnë armë një pale të përfshirë në konflikt të armatosur…” tha Patrick Wicken, kërkues i Amnesty International për çështjet ushtarake, të sigurisë dhe policisë.
“Nëse kjo anije është ankoruar në një port shqiptar, Shqipëria rrezikon të shkelë detyrimet e saj për të mos inkurajuar, ndihmuar apo asistuar në shkeljen e konventës së Gjenevës,” shtoi Wicken.
Konflikti i fundit në Gaza konsiderohet si konflikti më vdekjeprurës në historinë e gjatë të përplasjeve izraelito-palestineze. Ky konflikt nisi me sulmin e papritur të Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael, duke përfshirë sulme nga toka, ajri dhe deti. Ky sulm çoi në vrasjen e afro 1,200 izraelitëve, ndërsa Hamasi mori gjithashtu qindra pengje.
Izraeli u përgjigj me një ofensivë të madhe ushtarake, duke shkaktuar luftime të ashpra mes të dy palëve, të cilat kanë shtuar vuajtjet e civilëve palestinezë. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ky konflikt ka shkaktuar viktima të mëdha, ku 43,000 palestinezë janë vrarë vetëm në Gaza.
Udhëtimi i anijes “Kathrin” është shoqëruar me polemika që nga nisja e saj nga porti Hai Phong i Vietnamit korrikun e shkuar dhe udhëtimit përreth Afrikës dhe detit Mesdhe, përpara se të ankorohej në portin privat të karburanteve në Durrës këtë të enjte.
Më 24 gusht, autoritetet e Namibias revokuan një leje të dhënë më parë për ankorimin e anijes në portin kryesor të vendit mbi dyshimet se kjo ngarkesë do të kontribuonte për krimet e luftës në Gaza.
Në fund të shtatorit, edhe Malta refuzoi që ta pranonte anijen në ujërat e veta territoriale pas kërkesave të marra nga bordi i saj për ndërrimin e ekuipazhit si dhe furnizimin me ushqim.
Raporterja Speciale e Kombeve të Bashkuara për Palestinën, Francesca Albanese i bëri thirrje më parë qeverisë malteze që të ndalonte avancimin e anijes, me shqetësimin se ngarkesa e lëndëve eksplozive dyshohej se mund të përdorej në operacione ushtarake izraelite.
Por këtë mëngjes me diell në portin “Multi Buoy Mooring” në Porto Romano, shqetësimi i vetëm duket se ishte prania e gazetarëve të BIRN.
Porti “Multi Buoy Mooring” zotërohet përmes një kontrate koncesionare me qeverinë shqiptare nga kompanitë e hidrokarbureve “Kastrati” dhe “Europetrol Group”.
Në kodrën që ngrihet disa metra mbi port, dy djem të rinj me rroba të errëta civile u prezantuan si punonjës të Policisë së Shtetit dhe u kërkuan këtyre reporterëve që të mos e fotografonin anijen me pretendimin se “nuk lejohet”. Persona të tjerë që u prezantuan si “shefa” u përpoqën gjithashtu që të ndalonin fotografimin e anijes.
Qeveria shqiptare nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN për lejimin e anijes dhe akuzat për shkeljen e konventave ndërkombëtare deri në publikimin e këtij shkrimi. /BIRN/